Milan, Montella ka “frikë” të flasë për përforcime: Përgjigjja ime, e rrezikshme

03/08/2016 00:00

Montella duket se është përballur me “udhëkryqin” e parë, të vogël por me pikëpyetje ama. Në prag të fillimit të kampionatit italian, kthimi në Itali me një dozë të konsiderueshme besimi do të ishte domethënës. Nëse do të gabohej sërish, kjo do të thotë të minohet ai besim, që Montella po kërkon me ngulm t’ua transmetojë lojtarëve.

Dilema është e thjeshtë, sepse në dy ndeshjet e para për “International Champions Cup”, Milani ka luajtur shumë mirë kundër Bayernit dhe disi më mirë me Liverpoolin. Trajneri kuqezi preferon të flasë për “paraqitjen e shkëlqyer” kundër “the Reds”, e këtë e bën për të rritur besimin e të tijve, megjithatë në këtë pikë të sezonit ai e pranon dhe e thekson se “rezultati përkohësisht ka vlera relative. Megjithatë ndaj Chelseat do të doja të fitoja”.

Mbrëmjen e sotme, në “US Bank Stadium” të Minnesotës, pikërisht për përurimin e këtij stadiumi prej 66 mijë vendesh, të gjitha të mbuluara, dhe që ka kushtuar mbi një miliard dollarë, Milani do të luajë ndaj “bluve” të Londrës. Por Vincenzo Montella është një simpatizant i vjetër i kuqezinjve, ndaj dhe kthen sytë nga një moment i historisë së 20 viteve më parë, kur Milani fitonte 3-0 në miqësoren ndaj Ajaksit, në të njëjtën ditë kur bëhej edhe përurimi i “Amsterdam Arena”-s.

Për të dhënë më shumë, ndoshta do të duhej edhe ndonjë blerje cilësore, argument mbi të cilin Montella flet me shumë elegancë, duke lënë të nënkuptohet nevojshmëria e përforcimeve. Por idenë e tij e jep me një batutë ironike.

“Ku kam më shumë nevojë për përforcime? Nuk flas, sepse përgjigjja ime mund të bëhej shumë e rrezikshme (qesh). Kështu që më mirë t’i largohemi këtij diskutimi”. Megjithatë, ai pranon se çdo lloj skuadre është e mundshme që të përforcohet, e këtë e tregon më së miri edhe Juventusi.

Top Channel