Inter, “tifozi” Moratti: Jemi skuadra anti-Juve. Ta përkrahim Mancinin

03/08/2016 00:00

Edhe pse shiti edhe ato pak aksione që i kishin mbetur, prej 29.5%, te skuadra zikaltër, Massimo Moratti nuk qëndron dot larg Interit, edhe pse zyrtarisht mund të quhet larg atij ekipi. Ish-presidenti, i cili tashmë është nominuar si konsulent nga pronarët kinezë, siguron se do ta shijojë këtë post të ri madje si një tifoz i thekur.

Por ndryshe nga tifozët e thjesht, ky vijon të ketë lidhje dhe kontakte qoftë me “Suning”, ashtu edhe me “Erick Thohir”. Ndaj dhe si një “tifoz” i privilegjuar, ai duket si më i përshtatshmi për të komentuar ngjarjet e fundit te klubi zikaltër.

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Moratti shprehet se sot për sot, nëse do të konfirmohen ardhjet e Candrevas dhe Gabigolit, atëherë Interi do të ishte forca e dytë në kampionatin italian, edhe pse Juventusi, siç e pranon ai, e ka fituar tashmë sezonin e ri ende pa filluar. Kjo për shkak se Milanin, Napolin dhe Romën, ai i sheh si skuadra në vështirësi që nuk mbajnë dot lojtarët e mëdhenj.

Megjithatë, gjithçka do të varet nga klima që do të rrethojë klubin dhe dhomat e zhveshjes. Pra duhet një atmosferë pozitive mes lojtarëve, përndryshe për Morattin nuk ia vlen aspak të blesh lojtarë të mirë për t’ua shtuar atyre që Interi i kishte ne dispozicion.

E teksa flitet së tepërmi për Mancinin, Moratti shprehet se nuk sheh asnjë motiv për të bërë lojëra me pankinën. “As unë, që nuk bëja shakara me ndryshimet e trajnerëve, nuk e kam menduar ndonjëherë që të bëj revolucion teknik kur mbeten vetëm 20 ditë nga fillimi i kampionatit”, thotë ish-presidenti. Tashmë ai kërkon qartësime, të merren vendime përfundimtare dhe, pavarësisht se nuk është në dijeni të kërkesave të trajnerit, nëse do të vendoset që të shkohet përpara me Mancinin, atij duhet t’i jepet përkrahja e duhur dhe e nevojshme. “Duhet të shkojmë të gjithë në të njëjtin drejtim, – tha ai, – e më pas të mos ketë më asnjë alibi për askënd”.

Top Channel