Kosovë, “Mirror” i bën jehonë panikut të Festivalit të Birrës

02/08/2016 00:00

Jehona e ngjarjeve të ndodhura në festivalin e birrës, të mbajtur në Prishtinë pak ditë më parë, ku mbetën të lënduar mbi 50 persona, ka bërë që të shkruhet edhe në mediet ndërkombëtare, siç është ajo “Mirror” në Britaninë e Madhe. Sipas saj, besohet se një prej të pranishmëve ka gjuajtur me një armë lodër duke shkaktuar panik mes turmës. “Kishte pamje frikësuese, teksa qindra njerëz po vraponin pasi dikush bërtiti ‘ISIS’ për të bërë shaka”, shkruan “Mirror”.

Më shumë se 50 persona u lënduan mes përpjekjeve kaotike për t’u larguar nga vendi i ngjarjes gjatë festivalit të birrës në kryeqytetin kosovar, pasi shumë njerëz kanë menduar se ai mund të ishte sulm terrorist. Pasi dëgjuan emrin e grupit terrorist teksa përmendej në turmë, njerëzit filluan të vrapojnë sa më shpejt që të ishte e mundur, për të gjetur streha të sigurta.

“Dy persona u plagosën rëndë gjatë ikjes në rrëmujë, kishte edhe raportime të pakonfirmuara në mediet lokale se ishte qëlluar një djalë i moshës 15-vjeçare. Nuk është e pazakontë për njerëzit në Kosovë të posedojnë një armë, kështu që me një të tillë mund të jetë shtënë gjatë panikut. Sipas vlerësimeve, rreth 20 për qind e popullsisë kosovare zotëron një armë. Në një video gjatë ikjes në rrëmujë e sipër, njerëzit mund të shihen teksa shtyjnë njëri-tjetrin pas shpërthimit të panikut. Në një rast, një njeri mund të shihet teksa shkel një tjetër, në përpjekje për t’u larguar”, shkruan “Mirror”.

Njerëzit fshiheshin në rrugica dhe thyenin çdo gjë përpara, teksa hynin në ndërtesa për të kërkuar një vend për t’u fshehur. Një njeri humbi këpucët e tij dhe kishte të tjerë që po vraponin zbathur, duke u munduar të largoheshin nga sheshi. “ E vetmja gjë që krijoi frikë te njerëzit ishte kur dikush bërtiti: ‘Vraponi, ISIS-i është këtu’. Kjo fjali e vetme, që pati si pikënisje edhe të shtënën me armë, ishte e mjaftueshme që njerëzit të krijonin panik”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka vendosur të revokojë lejen për “Beer Fest” për ditët e ardhshme, për shkak të mungesës së kapacitetit nga ana e organizatorëve për të garantuar siguri ndaj një numri edhe më të madh të njerëzve, përfundon “Mirror”.

Top Channel