Shkodër, prangosen autorët e eksplozivit. Zbulohen drogë e armë

02/08/2016 00:00

Policia e Shkodrës ka mundur të zbulojë dhe të dokumentojë autorësinë e vendosjes së një sasie lënde plasëse në banesën e shtetasit H.L. në fshatin Pentar të Dajçit, ngjarje e ndodhur rreth orës 2:30 të mëngjesit të sotëm.

Në përfundim të operacionit policor të koduar “Hap pas hapi” është bërë mundur arrestimi i 4 shtetasve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Në pranga kanë rënë shtetasit Vinçens dhe David Doçi, respektivisht 30 vjeç dhe 32 vjeç; Rajmond Kalavaçi, 30 vjeç, si dhe Anton Gjuraj, 29 vjeç, që të gjithë banues në Pentar të Shkodrës.

Ata dyshohen të kenë kryer veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, “trafikimit të narkotikëve”, “shkatërrimin e pronës me eksploziv”, si dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Në kërkim është shpallur shtetasi me inicialet E.D., 28 vjeç, edhe ky nga fshati Pentar, teksa akuzohet për “prodhim e shitje të narkotikëve” dhe “shkatërrim të pronës me eksploziv”.

Ngjarja e orëve të para të mëngjesit të sotëm nuk ka pasur dëmtime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Nga kontrollet e kryera në 7 ambiente banimi të të dyshuarve, forcat blu kanë mundur të gjejnë dhe të sekuestrojnë në cilësinë e provave materiale 334.2 kg lëndë narkotike të llojit cannabis sattiva, e vendosur në 17 fuçi plastike dhe e gatshme për tregtim; dy armë gjahu, njëra prej të cilave pa leje; një automatik model 56; një automjet i tipit BMW me targa DJ 707 VE; si dhe dy aparate celularë.

Kontrollit nuk i ka shpëtuar as zona e njohur me emrin Mushan, pjesë e njësisë administrative të Dajçit, ku është konstatuar një parcelë me 3.000 bimë narkotike hashash, e cila rezulton të jetë kultivuar nga personat e dyshuar të lartpërmendur.

Ndërkohë, hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër vijojnë edhe për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel