Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim për forcimin e sundimit të ligjit

02/08/2016 00:00

Ministrja kosovare e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti në një takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërshtetërore në fushën e drejtësisë.

Në takim u theksua se, bashkëpunimi ndërshtetëror në këtë fushë i kontribuon forcimit të sundimit të ligjit në të dyja vendet, si dhe proceseve të rëndësishme që po kalon i gjithë rajoni. Shteti ligjor është prioritet institucional, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Ambasadori Minxhozi uroi ministren Hoxha për mandatin e saj ministror dhe e përgëzoi për gatishmërinë dhe përkushtimin e saj mbi thellimin e bashkëpunimit në drejtësi.

Ministrja Hoxha theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve në këtë aspekt do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim fuqizimin e shtetit ligjor dhe këmbimin e përvojave pozitive, duke i kontribuuar fuqishëm proceseve dhe rrugës së përbashkët euroatlantike.

Top Channel