Kosovë, të mërkurën debati mbi demarkacionin me Malin e Zi

02/08/2016 00:00

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga diskutimi në debat publik lidhur me shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, Kryesia e Kuvendit u mblodh për të koordinuar lidhur me axhendën dhe mbarëvajtjen e këtij debati.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit dyorësh me shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët nismëtarë të debatit për demarkacionin me Malin e Zi, ka shprehur besimin se me këtë gjithëpërfshirje dhe transparencë do të arrihet në një përfundim pozitiv.

Rezultate pozitive pret edhe deputeti Shpëtim Bulliqi, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherazi edhe nismëtar i debatit.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se tema për demarkacionin me Malin e Zi ka qenë e hapur prej thuajse një viti, por për këtë nuk është diskutuar asnjëherë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Dita e mërkurë, sipas Veselit do të jetë dita që do të qartësojë shumë gjëra, të cilat shpeshherë kanë qenë të paqarta për qytetarët e vendit. Madje, ai tha se duhet të jenë të gjithë të kënaqur, pasi në Kosovë po funksion demokracia.

Deputeti i LDK-së, Shpëtim Bulliqi tha se thelbi dhe synimi i thirrjes së këtij debati ka qenë që deputetët e Kuvendit të Kosovës të krijojnë opinionin e tyre dhe të kenë informacione të mjaftueshme rreth çështjes së demarkacionit.

Top Channel