Cana, larg Nantës. Kërkon kontratë edhe për 3 sezone

02/08/2016 00:00

Edhe pse nën kontratë deri në qershor të vitit 2017, Lorik Cana duket se e ka vendosur, edhe pse njëanshmërisht, të mos aktivizohet më me Nantën për sezonin që vjen.

33-vjeçari, sipas medieve transalpine është zhdukur nga radarët e klubit dhe do të rikthehet vetëm në fundin e kësaj jave, për të diskutuar të ardhmen.

Në profilin zyrtar të “kanarinave” në Instagram, para pak ditësh u pa një urim special për ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, çfarë tregon se marrëdhënia me ekipin është ende e mirë. Por Loriku, që garanton edhe disa vite në futbollin profesionist, kërkon një kontratë afatgjatë larg Francës.

“Është shumë e thjeshtë. Lorik Cana kërkon të luajë jashtë dhe është në negociata me disa klube. Ai nuk do të kthehet, pasi kërkon një kontratë për 3 ose 4 sezone. Ne duhet ta mirëkuptojmë Lorikun, pasi kjo mund të jetë negociata e fundit në karrierën e tij. Cana ishte shumë i ndershëm me ne dhe na tha se po kërkon një ekip të ri”, tha presidenti i Nantës, Valdermar Kita.

Top Channel