SHBA, Trumpit i duhet të garojë jo vetëm me Clintonin

02/08/2016 00:00

Donald Trump vërtet e siguroi nominimin për të qenë kandidati zyrtar i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, por që prej konventës partiake të e deri në ditën e zgjedhjeve ai nuk do të ketë përballë vetëm rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton. Për manjatin e pasurive të paluajtshme ekziston edhe një betejë e brendshme për t’u fituar.

Bëhet fjalë për shtimin e figurave të shquara mes republikanëve, përfshi këtu kongresmenë, të cilët e kanë deklaruar hapur se nuk do të votojnë për Donald Trumpin president të Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se e shohin atë si papërshtatshëm për të shërbyer në këtë post tepër të rëndësishëm.

Të martën, Richard Hanna i Nju Jorkut u bë i pari kongresmen republikan, i cili deklaroi publikisht votën e tij në favor të demokrates Hillary Clinton. Ai e quajti Trumpin “një shqetësim kombëtar”. Kjo është “firoja” e parë mes kongresmenëve republikanë, por deri më sot dihen edhe republikanë të tjerë të cilët e kanë distancuar vetveten nga kandidati Trump, apo më e pakta nuk kanë deklaruar mbështetjen e tyre ndaj tij.

Deklaratat e Trumpit mbi politikat që kanë lidhje me gratë, emigrantët e paregjistruar dhe myslimanët kanë nxitur shqetësimet mes shumë udhëheqësve të Partisë Republikane. Hanna, i cili do të dalë në pension në muajin nëntor, tha se e ka marrë në konsideratë prej muajsh faktin që të mund të votojë në favor të Clintonit, por ajo që e shtyu edhe më shumë drejt deklarimit publik të kësaj vote ishin pikërisht komentet e fundit të Trumpit ndaj Khizr dhe Ghazala Khan, prindër të një ushtari mysliman amerikan të vrarë në detyrë.

Në Konventën e demokratëve të javës së kaluar, zoti Khan kritikoi planin e Trumpit për të ndaluar përkohësisht futjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara. Kandidati republikan iu kundërpërgjigj duke e sulmuar familjen e ushtarit 27-vjeçar të vrarë në Irak. Ky reagim shkaktoi edhe kritikat dhe dënimet ndaj tij nga shumë udhëheqës demokratë dhe republikanë, sikurse edhe nga vet grupet e veteranëve të luftës.

“Shpresoj që amerikanët të kuptojnë se komentet e tij nuk përfaqësojnë pikëpamjen e Partisë Republikane, drejtuesve të saj apo kandidatëve të saj”, tha senatori i Arizonës, John McCain, një veteran i luftës së Vietnamit dhe ish-i burgosur lufte. Të hënën, Sally Bradshaë, një këshilltare e lartë e ish-guvernatorit të Floridës, Jeb Bush, deklaroi se kandidimi i Trumpit e kishte bindur atë të largohej nga Partia Republikane. Bradshaë tha se ajo do të votonte për Clintonin, nëse do të shihte trendin fitues të Trumpit në vendlindjen e saj, Florida.

Top Channel