Basha: Mandati është kontratë, jo afat

02/08/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu kundërpërgjigjur reagimit të Ramës pas kërkesës së shprehur nga kreu i opozitës për qeveri teknike, thotë se “mandati qeverisës është kontratë, jo afat”.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Basha thotë:

“Nuk i del që nuk i del zija e konsensusit. Nuk dëgjon, nuk sheh, nuk lexon, e ka humbur fare.

I kujtoj se mandati është kontratë para se të jetë afat.

Mandati i tij ka mbaruar me kohë në malet dhe fushat e mbushura me drogë si kurrë ndonjëherë, me vjedhjet kriminale dhe çnjerëzore, me koncesionet dhe tenderat korruptivë, me varfërinë dhe papunësinë masive kur kishte premtuar 300 mijë vende pune, me investime zero, me rritje rrogash e pensionesh zero, me taksat e larta, me krimin në pushtet dhe pushtetin e bërë njësh me krimin, me pasigurinë e frikshme e të tjera rekorde të zeza që shqiptarët i vuajnë në kurriz. Mandati të ka sosur që ditën kur kalove lumin me votën e atyre që të besuan dhe u ktheve bërrylin.

Me ndeshje të trukuara nuk ecet dot gjatë. Njerëzit e kanë marrë vendimin, mezi presin ta shpallin. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.”

Top Channel