Rusi, shpërthen antraksi në Siberi. 8 të infektuar, një viktimë dhe 90 në spital

02/08/2016 00:00

Një djalë i vogël ka humbur jetën, ndërsa 90 persona janë duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore në rajonin më verior të Rusisë, Siberi, për shkak të shpërthimit të sëmundjes së antraksit (plasjes). Viktima e parë e kësaj sëmundjeje është shënuar ditën e hënë. Deri më tani janë konfirmuar 8 persona të infektuar me antraks, një sëmundje bakteriale e rrallë por vdekjeprurëse. Besohet që ajo të jetë përhapur nga drerët.

Më shumë se 2.300 kafshë të tilla, – të zakonshme në zonat veriore të Europës e Azisë, por edhe Amerikës Veriore, – kanë ngordhur pas shpërthimit të kësaj sëmundjeje në rajonin Yamalo-Nenets të Siberisë. Gjithashtu janë marrë masa edhe kundër çiftëzimit dhe riprodhimit të drerëve, ndërkohë që problem nxitës për pëhapjen e mëtejshme të sëmundjes është edhe i nxehti ekstrem.

Temperaturat në zonën e rrezikut, e cila tashmë është vënë në karantinë, janë ngjitur deri në 35 gradë Celcius. Rusia ka dërguar në këtë pjesë të vendit edhe ushtarë të stërvitur enkas për luftë biologjike, në mënyrë që të përballet me këtë gjendje emergjence.

Një zëdhënëse e qeverisë lokale, Natalya Khlopunova tha për agjencinë e lajmeve “Tass” se rreth 50 fëmijë ishin mes atyre 90 personave të shtruar në spital në kërkim të ndihmës mjekësore. “Kemi vendosur të bëjmë kontrolle ndaj të gjithë fëmijëve të barinjve mbarështues të drerëve, edhe nëse ata nuk shfaqin asnjë shenjë të sëmundjes”, tha ajo.

Familjet që mbanin drerë nëpër fermat e tyre janë evakuuar dhe janë zhvendosur në një kamping rreth 60 km nga epiqendra e infeksionit. Kjo gjendje emergjence në Siberi është disi e rrallë, pasi hera e fundit e shpërthimit të antraksit është shënuar në vitin e largët 1941.

Antraksi shkaktohet nga bakteri “bacillus anthracis” dhe mund të jetë vdekjeprurës, por në kushte të zakonshme ai nuk përhapet me lehtësi. Në të shumtën e rasteve bakteri infektues qëndron në formën e sporeve dhe i fshehur në tokë për vite, përpara se të mund të futet në trupin e ndonjë kafshe përmes një çarjeje apo plage. Tradicionalisht, njerëzit më të prekur kanë rezultuar të jenë ata që merren me kafshët e ngordhura, si për shembull kasapët nëpër thertore. Antraksi gjithsesi mund të trajtohet me antibiotikë, por është e domosdoshme që trajtimi të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur pas infektimit.

Top Channel