Meta: Jo qeveri teknike. Debati ishte për reformën

02/08/2016 00:00

Edi Rama dhe Lulzim Basha replikuan në rrjetet sociale, nëse janë apo jo kushtet për krijimin e një qeverie teknike.

“Qeveria ka një mandat për të qeverisur Shqipërinë dhe kontrata jonë me shqiptarët është 4-vjeçare. Në asnjë pikë të kësaj kontrate nuk figuron ndonjë detyrim i qeverisë për t’i bërë ‘babysitting’ Lulëzimit. Duhet të rritet vet dhe të mësojë të udhëheqë pa ‘babisitter’”, shkruan ndër të tjera Rama.

Lulzim Basha iu përgjigj menjëherë kreut të qeverisë, duke i kujtuar se mandati nuk është afat kohor, por kontratë me qytetarët, të cilën sipas Lulzim Bashës, Edi Rama e ka braktisur që ditën e parë, kur vendosi të bashkëqeverisë me krimin dhe korrupsionin.

Këtu, kreu i opozitës sheh pengesën se, përse qeveria e Edi Ramës nuk mund të organizojë zgjedhjet e ardhshme.

“Qeveria teknike është kusht i patejkalueshëm për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ftesa ime është që kjo qeveri teknike të bëhet me kontributin e të gjitha forcave politike”, tha Basha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

Dhe përgjigjja e Ilir Metës nuk vonoi. Si përsoni që rizgjoi llogaritë e opozitës për qeverinë teknike, Ilir Meta ishte ai që i vuri sërish kapak këtyre llogarive, kur u pyet nëse Rexhep Meidani ishte planifikuar prej tij si kryeministri i qeverisë teknike.

“Unë mendoj që kjo pyetje është pa vend, sepse nuk ekziston ndonjë opsion i tillë. Në rast se ka një keqkuptim për propozimin tim në një situatë të ndryshme disa ditë përpara 21 korrikut, ai ishte thjesht me qëllimin për të bërë çdo gjë për të miratuar reformën”, tha Meta.

Po koalicioni me Edi Ramën, a funksionon?

“Koalicioni, sipas vlerësimit tim duhet të vazhdojë të bëjë maksimumin të përmbushë detyrimet e tij programore”, theksoi më tej kryeparlamentari Meta.

Ky mund të quhet një reagim i ri i Ilir Metës, krahasuar me deklaratat e tij gjatë negociatave për reformën. Ndoshta është edhe rastësi, por ky reagim vjen pas një darke të gjatë të hënën mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, darkë e cila thuhet se ka risjellë qetësinë mes dy bashkëkryetarëve të koalicionit qeverisës.

Top Channel