Siri, sulm me gaz klorin në qytetin Saraqeb të provincës së Idlibit

02/08/2016 00:00

Një helikopter ka hedhur disa fuçi të dyshuara se mbanin gaz klorin mbi qytetin verior sirian të Saraqebit, në provincën e Idlibit. Alarmi jepet nga një mjek dhe punonjës të kërkim-shpëtimit. Rreth 30 persona janë prekur nga ky sulm, për të cilin nuk ka ende përgjegjës.

Të dyja palët pjesëmarrëse në konfliktin civil të Sirisë akuzojnë njëra-tjetrën se kanë përdorur substanca kimike, por po ashtu të dyja ato i kanë hedhur poshtë këto akuza. Të hënën, një helikopter ushtarak rus është rrëzuar mbi një zonë të Saraqebit, në Idlib.

Mjeku Abdel Aziz Bareeh tha për “BBC” se dy fuçi me gaz klorin janë hedhur mbi qytetin ku ai punon, rreth mbrëmjes së vonë të së hënës.

“E dimë që ishte klorin, sepse jemi prekur prej tij edhe në të kaluarën dhe jemi mësuar tashmë me erën dhe simptomat e saj. Deri më tani jemi 28 raste të konfirmuara, shumica e të cilave gra dhe fëmijë”, thotë mjeku.

Ndërkohë, një zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Sirisë tha për agjencinë “Reuters” se kanë qenë 33 persona të prekur nga ky sulm. Organizata me punonjës vullnetarë të kërkim-shpëtimit tha se kishte dyshime që fuçitë të mbanin gaz klorin, por pa mundur ta konfirmojnë atë.

Gazi klorin është një substancë e zakonshme kimike industriale, por përdorimi i saj në armatime të ndryshme është i ndaluar nga Konventa e Armëve Kimike. Simptomat kryesore të gazit helmues të klorinit janë lotim i syve, lëkurë e irrituar, vështirësi në frymëmarrje dhe gjakrrjedhje nga buzët.

Në vitin 2013 u gjetën prova të forta që sugjeronin se rezidentë të Saraqebit ishin prekur nga një sulm kimik i ndërmarrë nga helikopterët qeveritarë, diçka që mohohet nga autoritetet e Sirisë. Rrëzimi i një helikopteri rus të hënës ishte i fundit mes incidenteve për ushtrinë ruse, që kur ajo nisi fushatën e saj ajrore shtatorin e kaluar. Edhe rrëzimi i helikopterit rus mbetet mister se kush e ka ndërmarrë.

Top Channel