Përplasja me ministrin e Bujqësisë, AKU: Urdhri s’na drejtohej ne

02/08/2016 00:00

Një ditë pas deklaratës së ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, se AKU, institucioni në varësi të tij ka thyer urdhrin për të ndaluar tregtimin e mishit të gjedhëve , ka reaguar drejtori i këtij institucioni Isuf Shehu, i cili thotë se ky urdhër nuk i drejtohej AKU-së në mënyrë të drejtpërdrejtë por Drejtorisë së Shërbimeve Bujqësore.

“Ministri urdhëron ndalimin e lëvizjes së kafshëve të llojit gjedh, dhen dhe dhi nga fermat në drejtim të tregjeve, thertoreve dhe nga ferma në fermë dhe thuhet ‘në zbatimin e këtij urdhri ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Bujqësore dhe drejtoritë e bujqësisë në qarqe”, deklaroi Sehu.

Shehu thekson se pavarësisht se urdhri nuk ishte për AKU-në, institucioni që ia drejton është angazhuar në zbatim të tij, ndonëse ka pasur subjekte që kanë tregtuar mish. Për këtë ka nisur një investigim dhe do të penalizojë drejtoritë rajonale si dhe subjektet që nuk kanë respektuar urdhërin.

“Ky mish i therur si ka qarkulluar, nëse ka një vakum në lidhje me komunikimin me drejtoritë e bujqësisë nëpër qarqe, në lidhje me lëvizjen e kafshëve të gjalla, përse nuk është bërë informimi dhe komunikimi i riskut me njësitë e tregtimit të mishit për rëndësinë e kësaj sëmundje, përse është lejuar që të ketë lëvizje të qarkullimit të kafshëve të gjalla dhe pse është lejuar therja e këtyre kafshëve”, vijoi Shehu.
 
Më datë 8 korrik një urdhër i ministrit të Bujqësisë për parandalimin e sëmundjes së dermatozes nodulare të gjedhit ndalonte therjen e tyre çka presupozonte që në treg të kishte vetëm mish të importuar. Por në fakt në treg është shitur mish vendi.

Top Channel