Rritet optimizmi i tregut, kredia shtohet me 90 mln USD. 5 muaj pozitive

02/08/2016 00:00

Kredia për ekonominë u rrit për të pestin muaj me radhë ne qershor duke shënuar serinë më të gjatë pozitive në gati dy vjet. Të dhënat e fundit zyrtare nga banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të gjashtëmujorit të parë, kredia totale që bankat kanë dhënë për ekonominë arriti në 552.2 miliardë lekë duke qenë pothuajse në të njëjtin nivel me qershorin e vitit 2015.

Kjo është hera e parë në gati një vit që kredia del nga territori negativ. Të dhënat tregojnë se pas gushtit të vitit 2015, stoku i kredisë ka qenë në çdo muaj gjithmonë më i ulët se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Pika më e ulët u arrit në janar të këtij viti, kur kredia rezultonte mbi 15.5 lekë ose mbi 120 milionë dollarë më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Por pas këtij muaji, tendenca negative u përmbys dhe kredia ka ardhur vazhdimisht në rritje duke dhënë sinjale për një rigjallërim të lehtë të aktivitetit kreditues në vend. 
 
Sipas të dhënave të bankës qendrore, në total për periudhën janar-qershor të këtij viti kredia është rritur me gati 9 miliardë lekë. Kjo do të thotë se veç zëvendësimit të huave që maturohen, bankat kanë disbursuar edhe 9 miliardë lekë kredi të reja për biznesin dhe individët.

Në programin ekonomik 2016-2018, qeveria dhe banka e Shqipërisë e konsiderojnë ngërçin e kreditimit si rrezikun më të madh për rimëkëmbjen e ekonomisë. Sipas tyre, nëse rritja ekonomike nuk do të mbështetet sa duhet me kredi ajo mund të ngadalësojë sërish.

Top Channel