Fushata kundër Maduros, Venezuela kalon fazën e parë

02/08/2016 00:00

Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve në Venezuelë miratoi hapin e parë të fushatës opozitare për të larguar nga detyra presidentin Nicolas Maduro. Sipas këtij këshilli, opozita mundi që të grumbullojë 1% të firmave të votuesve në 24 krahinat e vendit. Kjo lëvizje është etapa e parë e përpjekjes së opozitës për t’i dhënë fund para kohe mandatit të Maduros.

Po ndërsa pranoi firmat e opozitës, në një manovër të beftë, një tjetër organ shtetëror, pikërisht Gjykata Supreme, pezulloi aktivitetin e opozitës në Parlament. Sipas këtij organizmi, aktiviteti i opozitës do të ndalet derisa të largohen tre anëtarë të saj që akuzohen se kanë blerë vota. Venezuela po kalon një krizë të rëndë politike dhe ekonomike, e cila ka sjellë mungesën e produkteve bazë. Inflacioni në vend është nga më të lartit në botë dhe ka gjithnjë radhë të gjata para dyqaneve.

Këshilli Zgjedhor tha se opozita mundi që të grumbullojë më shumë se 200 000 firma, duke kaluar fazën e parë për të organizuar një referendum për mandatin e Maduros. Por nuk përcaktoi një datë për hapin e dytë që duket shumë më i vështirë, grumbullimi i 4 milionë firmave në vetëm 3 ditë. Opozita akuzon Maduron për keqqeverisjen e vendit dhe zhytjen e tij në krizë, prandaj kërkon një referendum popullor që ta largojë nga posti.

Nëse opozita arrin të marrë 4 milionë firma dhe të zyrtarizojë referendumin, në të duhet të sigurojë mbi 7,6 milionë vota, një shifër më e lartë sesa ata që votuan për Maduron në vitin 2013.

Top Channel