Të krishterët që punojnë në qendrën më famëkeqe të ndalimit për azilkërkuesit në Greqi, janë përpjekur që të konvertojnë disa prej myslimanëve aty, të cilët janë ndaluar në kuadër të paktit mes Turqisë dhe Bashkimit Europian.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, në të paktën dy raste, punonjësit e ndihmës humanitare kanë shpërndarë formularë konvertimi feje brenda kopjeve të ungjillit të Shën Gjonit në arabisht në kampin e Morias në ishullin Lesbos.

Sipas “The Guardian”, e cila publikoi një prej këtyre formularëve, azilkërkuesit janë ftuar që të firmosin një dokument ku shkruhet: E di që jam mëkatar. I kërkoj Jezusit që të falë mëkatet e mia dhe të më japë jetë të përjetshme. Dëshira ime është t’i bindem fjalës së tij.

Shumë myslimanë në kampin e Morias janë ankuar për këtë fenomen, që sipas tyre ndodhi gjatë muajit të Ramazanit. Ata thonë se formularët u shpërndanë nga Eurorelief, një organizatë bamirëse greke e cila u bë më e madhja në kampin e Morias pasi të tjerat u tërhoqën si formë kundërshtimi ndaj paktit mes Brukselit dhe Ankarasë.

Kjo organizatë tha se nuk miraton shpërndarjen e këtyre formularëve të konvertimit, por nuk përjashtoi mundësinë që punonjësit e saj të kenë vepruar individualisht.

Ministri grek i Emigracionit nuk komentoi ngjarjen, ndërsa kjo cilësohet si pasoja më e re e mbylljes së korridorit humanitar mes Greqisë dhe Gjermanisë dhe aktivizimit që pasoi të paktit mes BE dhe Turqisë.

Mbi 57 mijë azilkërkues kanë mbetur të bllokuar në Greqi në kampe që kritikohen ashpër për kushtet e rënda ku mungon shpesh energjia elektrike dhe ku sistemi i aplikimit për azil është tejet i ngadaltë.

Top Channel