Aksident tragjik në Velipojë. 4 viktima, dy janë italianë

02/08/2016 00:00

Një aksident tragjik me 4 të vdekur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Vilunit, në plazhin e Velipojës, në Shkodër.

Policia njofton se viktimat janë 3 meshkuj dhe një femër; dy prej tyre shqiptarë, ndërsa dy të tjerë janë shtetas italianë.

Sipas bluve të Shkodrës, nga ky aksident i rëndë humbën jetën Giorgio Angelo, 25 vjeç; Besmir Kola, 29 vjeç, i cili rezulton të ketë qenë edhe drejtuesi i automjetit; Artenisa Peraj, 21 vjeç; si dhe një person i katërt, identiteti i të cilit nuk dihet, por që rezulton të jetë rreth moshës 25 vjeç.

Sipas informacioneve nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, makina tip BMW me targa AA767HF, me të cilën udhëtonin 4 viktimat, ra në kanalin e Vilunit rreth orës 04:00 të mëngjesit, e pamundësia e shoferit dhe pasagjerëve për të reaguar ka bërë që ata të humbasin jetën.

Policisë i janë dashur disa orë që të nxjerrë trupat e viktimave nga kanali, pasi niveli i ujit është i konsiderueshëm, gjë që ka ndikuar në mbytjen e 4 personave. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton gjithashtu se, ky segment rrugor nuk është i pajisur me sinjalistikën e nevojshme rrugore, është i pandriçuar, i paasfaltuar dhe i pambrojtur për pjesën më të rrezikshme të kthesës, ku përdoruesit e rrugës duhet të njoftohen për vijueshmërinë e këtij segmenti.

Nga këqyrja e mjetit me të cilin udhëtonin viktimat, dallohej lehtësisht se gomat e pasme të tij ishin të tej konsumuara. Shërbimet e Policisë Rrugore po vijojnë veprimet hetimore dhe në përfundim do të jepet dhe informacioni i plotë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Top Channel