PD: Droga e Ramës në çdo rrethinë të vendlindjes së ministrit të tij të Brendshëm

01/08/2016 00:00

Partia Demorkatike bëri një denoncim, për siç thotë ajo, parcelat e drogës në vendlindjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sekretari për Aksionin Qyteta, Ervin Salianji, tha se mjafton një udhëtim 20 minuta larg aksit kombëtar në rrethinat e Tepelenës për të parë se si lulëzon biznesi kriminal i drogës që drejtohet nga Edi Rama, përmes të licensuarit të tij Saimir Tahiri.

“Plantacionet me hashash në zonat e Tepelenës, kryesisht në Gusmar që është vendlindja e Saimir Tahirit dhe shumë drejtuesve të policisë, tregojnë realitetin e kanabizimit të vendit, një realitet dramatik për Shqipërinë, që Edi Rama mundohet ta mohojë. Në fillim, garda e parë e kanabisit janë postoblloqet e policisë, më pas kalon 2 ose 3 postoblloqe me banditë të armatosur deri në fyt, që qëndrojnë në makina superluksoze”, deklaroi Salianji.

Salianji, që thotë se shkeli në këto parcela kanabisi, denoncoi atë që e quajti “biznes kriminal që sjell miliona euro përfitime për bandat e Edi Ramës, e për atë vetë që përmes skemës kriminale merr 30 për qindëshin, biznes që rritet mbi mjerimin e fshatarëve të zonave, që shfrytëzohen me 10 ose 20 mijë lekë të vjetra në ditë”.

“Pas qindra denoncimeve me foto dhe video të bëra nga Partia Demokratike dhe të përgenjështruara me turp nga ministri i Brendshëm dhe kryeministri, sot jam në emër të Partisë Demokratike për t’u treguar edhe njëherë tjetër se sa lehtësisht gjenden këto dëshmi tronditëse të mbjelljes së Shqipërisë me drogë, me kanabis sativa. Drogë e cila mbillet me bekimin e ministrit të Brendshëm, me marrjen e 30 përqindëshit për çdo rrënjë nga ana e drejtuesve të policisë, para që shkojnë drejtpërdrejtë tek Saimir Tahiri, tek Edi Rama”, u shpreh Salianji.

“Kjo është një dëshmi tjetër se si sovraniteti i shtetit është dorëzuar në celula trafikante, të cilët shfrytëzojnë një popull të mjerë, një popull të lënë në mjerim e varfëri nga kjo qeveri, për t’u përdorur për mbjellje droge. Kjo nuk kërkon ligj të ri por kërkon vetëm vullnet politik. Kjo kërkon vetëm çmontim të bandave në qeverisje. Kjo kërkon vetëm çmontim të krimit të lidhur me pushtetin dhe pushtetit të lidhur me krimin. Koha e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit ka mbaruar”, tha Salianji.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel