Ambasadori turk: Vëllezërit shqiptarë, me Erdoganin. Vijoni pushimet në Antalia

01/08/2016 00:00

Arrestimet dhe gjendja e jashtëzakonshme në Turqi, përkundër kritikave ndërkombëtare në rritje, janë cilësuar nga ambasadori turk në Tiranë, Hidajet Bajraktari, si një normalitet pas tentativës për grusht shteti, sipas tij nga “organizata e Fetullah Gulen”.

Në një intervistë për Top Channel, ambasadori Bajraktari thotë se autoritetet shqiptare kanë mbështetur Presidentin Erdogan dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë, madje edhe duke luftuar çdo zgjatim të “gylenistëve” në Shqipëri.

Ambasadori i Turqisë iu përgjigj fillimisht pyetjes se, për sa kohë do të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme.

Ambasadori Bajraktari: Terroristët puçistë, duke cënuar vullnetin kombëtar, synonin që në vendin tonë të zotëronin strukturat e tyre monstruoze. FETO është një strukturë terroriste e organizuar më së miri, zgjatjet e së cilës ndodhen edhe jashtë Turqisë. Nëse ju kujtohet, edhe në Francë ka gjendje të jashtëzakonshme që prej sulmeve terroriste të nëntorit të vitit të kaluar. Këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur. Ishte një domosdoshmëri përballë sulmit të shumanshëm terrorist, përballë rrezikut që kërcënon rendin dhe sigurinë publike. Lidhur me ndikimin në politikën tonë të jashtme, dëshiroj të nënvizoj se, nga e gjithë bota, nga të gjithë miqtë tanë na është dhënë mbështetje e fuqishme, duke dalë kundër tentativës për grusht shteti. Edhe te Shqipëria, një vend mik e vëlla, kemi gjetur një mbështetje të sinqertë dhe të fuqishme. Dhe sigurisht për këtë ju jemi mirënjohës.

TCH: Si shefi i diplomacisë turke në Tiranën zyrtare, cila është thirrja që iu bëni shqiptarëve, turistëve që duan të pushojnë në Turqi? Turqia prej vitesh mbetet destinacioni i preferuar për shqiptarët…

Hidajet Bajraktari: Natyrisht, vëllezërit e mi shqiptarë të jetë të qetë që po kalojnë pushimet ose kanë planifikuar t’i kalojnë pushimet në Turqi. Nuk ka asnjë situatë që mund të ndikojë në pushimet e tyre. Duke e ndierë veten si në shtëpinë e tyre do të kalojnë pushime të këndshme dhe të sigurta. Dhe siç ka ndodhur gjithmonë, përsëri do të kthehen me kujtime të mira nga Turqia. Jam në dijeni që shumë shtetas shqiptarë përdorin “Turkish Airlines” dhe linja të tjera ajrore turke për të fluturuar drejt destinacioneve të ndryshme në botë. Nuk ka asnjë mangësi në aeroportet tona dhe fluturimet e linjave tona ajrore.

TCH: Si e shihni reagimin e institucioneve shqiptare pas tentativës për grusht shteti atje?

Hidajet Bajraktari: Përsa i përket tentativës për grusht shteti, si të gjithë miqtë tanë, edhe autoritetet shqiptare natyrisht kanë qenë pranë Turqisë dhe jo puçistëve të FETO-s. Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë shumë të veçanta, janë në një nivel të përkryer. Shqipëria e ka shpallur Turqinë “partner strategjik”. Marrëdhëniet tona mbështeten në ndjenja të pastra dhe të sinqerta. Nënvizova se shteti turk e ka detyrë me përparësi, shpartallimin e kësaj organizate terroriste, bashkë me zgjatimet e saj. Dhe ne presim që institucionet dhe qeveria shqiptare të marrin masa për këtë çështje.

Top Channel