Panariti akuzon AKU-në: Nuk zbatoi urdhrin

01/08/2016 00:00

Urdhri i ministrit të Bujqësisë për të bllokuar lëvizjen e kafshëve për shkak të përhapjes së sëmundjes së dermatozës nodular nuk ia ka dalë të bllokojë shitjen e mishit me origjinë vendi në pika të ndryshme tregtimi.

Top Channel bëri një vëzhgim ku rezultoi se në dyqane vazhdon të shitet mishi i ndaluar, e këtë e pohon edhe vetë ministri i Bujqësisë.

“Ndaj të njëjtin shqetesim me ju. Në kronikën tuaj ju e pasqyruat qartë që mish me origjinë nga kafshët e vendit ndodhet i pranishëm në tregje”, tha ministri.

Por ministri Panariti shkon edhe më tej kur pranon se thyerja e urdhrit nis sëpari nga institucioni që është në varësinë e tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që ka detyrë kontrollin e pikave të tregtimit dhe gjurminin e produktit.

“Këtu kemi të bëjmë qartazi me tendenca për të thyer urdhrin e ministrit. Unë e fillova komunikimin tim me një vërejtje ndaj AKU-së, të cilës i kërkoj, duke filluar nga ky moment, non stop të jetë pranë tregjeve për të bllokuar, penalizuar, gjurmuar edhe origjinën e kafshëve që prodhojnë një mish të tillë. Sigurisht, apel edhe Policisë së Shtetit se ato kafshë transportohen nga fermat”, u shpreh ai.

Moratoriumi i lëvizjes së kafshëve nga ferma në fermë, nga ferma në thertore dhe nga ferma në tregje është një masë që do të zgjasë deri në vaksinimin e plotë të kafshëve.

Aktualisht rezultojnë 278 krerë të prekura të përqëndruara në veri-lindje të vendit. Eksperti i BE, Robert Connor thotë se kjo masë është e detyrueshme për të mos e kthyer Shqipërinë në vatër infeksioni me pasoja të rënda për ekonominë.

“Kjo sëmundje shkakton humbje të mëdha ekonomike në vendet që prek dhe humbjet afatgjata mund të limitojnë mundësinë e eksportit nga vendi juaj”, deklaron Robert Connor, ekspert i BE-së për veterinarinë.

Top Channel