Bonuset për strehimin, miratohen kërkesat e 58 familjeve në 5 bashki

01/08/2016 00:00

Plot 58 familje në 5 bashki të vendit, konkretisht në Elbasan, Mirditë, Korçë, Pogradec dhe Has do të përfitojnë bonuse për strehimin e tyre. Grupi i punës, i ngritur pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban, ka miratuar kërkesat e ardhura nga këto bashki sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Fondi i buxhetit të shtetit për financimin e qirasë së 58 familjeve është 1 milion e 143 mijë lekë.

Sipas vendimi të qeverisë, bashkitë detyrohen të paraqesin pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban kërkesat për bonuse strehimi, shoqëruar me kostot financiare të çdo familjeje dhe listën e detajuar të përfituesve.

Aktualisht kanë aplikuar vetëm këto 5 bashki, të cilat kërkojnë financimin deri në masën 50% të qirasë minimale të tregut për secilin përfitues.

– Vlera e bonusit për kategoritë prioritare (të përcaktuara në VKM) është 780.966 lekë dhe përfitojnë 37 persona;
– Vlera e bonusit për gratë kryefamiljare, të cilat bëjnë pjesë edhe në kategoritë prioritare është 451.588 lekë dhe përfitojnë 22 persona;
– Vlera totale e bonusit për përfituesit jashtë kategorive prioritare është 361.873  lekë dhe përfitojnë 21 persona.

Top Channel