Shqipëria, miqësore ndaj Marokut përpara sfidës me Maqedoninë

01/08/2016 00:00

Me Europianin e 2016-s tashmë të arkivuar, në fokusin e kombëtares shqiptare dhe trajnerit Gianni De Biasi do të jenë ndeshjet kualifikuese për në Botërorin e Rusisë që do të mbahet në vitin 2018.

Përfaqësuesja kuqezi do ta nisë edicionin kualifikues, që i paraprin Kupës së Botës, me një miqësore kundër Marokut. Ndeshja kundër kombëtares afrikane do të luhet më 31 gusht, në stadiumin e Shkodrës të rikonstruktuar së fundmi.

Ky takim miqësor do t’i shërbejë ekipit kombëtar për përgatitjet që do të bëjë për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”, teksa ndeshjen e parë do ta luajë kundër kombëtares së Maqedonisë, pikërisht në Shkodër.

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të grumbullohet për t’u përgatitur për këtë takim më 29 gusht, si gjithnjë në resortin e kuqezinjve në Durrës.

Kombëtarja e futbollit të Marokut drejtohet nga trajneri Herv Renard, ndërsa kapiten i ekipit është mbrojtësi i njohur Mehdi Benatia. Renditja aktuale e Marokut në klasifikimin zyrtar të FIFA-s është vendi i 54-t, duke u konsideruar si një prej kombëtareve më të forta në kontinentin afrikan.

Top Channel