Gulen: Grushti i shtetit, skenar i denjë për Hollivud. S’mund ta akuzoj Erdoganin si inskenues

01/08/2016 00:00

Fethullah Gulen, kleriku që jeton në ekzil të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara, e që akuzohet nga Turqia si truri i përpjekjes së dështuar për grusht shteti, pranon se mbështetësit e tij në vendlindje mund të jenë përfshirë në atë “puç”, por mohon kategorikisht lidhjen e drejtpërdrejtë të tij me ta.

“Ndoshta mund të jenë disa prej simpatizantëve të mi mes atyre që e kryen atë veprim”, tha ai gjatë një interviste për gazetarin e CNN-it, Fareed Zakaria.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka kthyer gishtin fajësues për trazirat e shkaktuara nga një grup i vogël i ushtrisë pikërisht te Guleni. Dikur aleati më i afërt i tij, sot rivali më i egër i presidentit të sulmuar, Gulen është udhëheqës i një lëvizje popullore të quajtur “Hizmet”. Por qeveria turke i referohet kësaj lëvizjeje me togfjalëshin “organizata terroriste Fethullah Gulen”.

Kleriku 77-vjeçar, i cili u largua nga Turqia në vitin 1999 për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara, jeton në atë që konsiderohet si ekzil i vetimponuar në Saylorsburg të Pensilvanisë. Në intervistën për CNN, ai u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare të hetojnë pretendimet e qeverisë, që e lidhin atë me përpjekjen e dështuar për grusht shteti.

“Nëse ka diçka që unë t’ia kem thënë ndonjërit në lidhje me atë ngjarje, verbalisht, apo nëse ka ndonjë bisedë telefonike, madje edhe nëse vetëm një e dhjeta e kësaj akuze të jetë e bazuar diku, unë do të gjunjëzohesha dhe do të thoja: Po, ata janë duke thënë të vërtetën. Lejojini ata të më marrin e të më varin”, u shpreh Gulen.

Trazirat e 15 korrikut u morën jetën 270 personave, përfshi edhe 24 prej atyre që akuzohen për komplotin. Ato shkaktuan gjithashtu një valë të gjerë arrestimesh, burgosjesh dhe shkarkimesh të atyre që konsiderohen si përkrahës të grushtit të shtetit, apo të dyshuar për çdo lloj forme përfshirjeje.

Erdogan, në një intervistë të mëhershme me CNN, premtoi se do të hakmerrej ndaj asaj që e quajti “një tradhti e pastër”.

Megjithatë, Gulen i ka mohuar në vijimësi pretendimet e qeverisë, sipas së cilës ai ka drejtuar simpatizantët e tij të destabilizojnë regjimin e Erdoganit.

“Disa persona organizuan një skenar. Atëherë, dikush që mund të konsiderohet fans i kësaj e udhëhoqi popullin drejt këtij skenari”, tha ai. “Ky duket më shumë si një skenar i denjë për filma Hollivudi, sesa një tentativë për grusht shteti. Duket më shumë si një skenar i realizuar në perfeksion. Nga ajo që shihet, kuptohet se ata e kishin përgatitur terrenin për të realizuar atë që kishin planifikuar”.

Në një deklaratë të mëhershme gjatë këtij muaji, Gulen sugjeroi se grushti i shtetit mund të jetë inskenuar. I pyetur nga Zakaria, nëse ai mendon se organizatori i këtij skenari të mund të jetë vet Erdogani, Gulen u përgjigj se “një deklaratë të tillë do ta konsideronte një shpifje”. “Do të më duhej të dorëzohesha përpara Zotit, përpara se të bëja një akuzë të tillë. E them këtë sepse jam llogaridhënës vetëm para Zotit”.

Top Channel