Britani, ish-agjenti i bursës: Bankat, sërish në konflikt interesi

01/08/2016 00:00

Ish-agjenti londinez i bursës, që i shkaktoi bankës zvicerane “UBS” një humbje prej 1.4 miliardë stërlinash, kërkoi falje për krimin e tij por shtoi se, sektori bankar nuk ka bërë mjaftueshëm për të rifituar besimin e publikut.

Në një intervistë për BBC, Kweku Adoboli tha se sistemi bankar kishte ende probleme të theksuara me konfliktin e interesit. Sipas tij, agjentët bankarë nxiten që të sjellin fitime, pavarësisht mënyrës sesi ia arrijnë.

I pyetur nëse krimet që ai kreu, si regjistrimi i transaksioneve të rreme për të mbuluar rreziqet që merrte përsipër në bursa në kërkim të fitimeve, mund të ndodhin sërish, ai tha se është plotësisht e mundur.

Adoboli u dënua në vitin 2012 me 7 vite burg për “mashtrim”, por u lirua me kusht në vitin 2015 dhe tani po përballet më deportimin në Ganë ku edhe është lindur. 36-vjeçari Adoboli, i cili ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar që prej moshës 12-vjeçare, tha për BBC-në se sistemi bankar nuk ka ndryshuar aspak dhe e vuri re këtë edhe pasi doli nga burgu.

“Njerëzit me të cilët kam folur, si ish-kolegë, po përballen me të njëjtat probleme, me të njëjtat konflikte dhe të njëjta presione, për të sjellë fitime në çdo mënyrë. Vet kjo industri u kërkon njerëzve të ndërmarrin rreziqe dhe rreziqet më të mëdha sjellin fitime më të mëdha. Sigurisht që në këndvështrimin politik duhen kufizuar rreziqet, por kjo kufizon fitimet dhe këtu kemi një konflikt”, deklaroi Adoboli.

Ai shtoi se transkasione të paligjshme, si ato që kreu ai vet, mund të bëhen ende edhe sot. Megjithëse Adoboli pretendon se “UBS” e dinte se çfarë bënte ai, banka bëri të ditur se ai veproi i vetëm dhe në fakt askush tjetër nuk u padit bashkë me të.

Top Channel