Historike në Japoni, Tokio zgjedh të parën guvernatore femër

01/08/2016 00:00

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Yuriko Koike është zgjedhur guvernatore e Tokios, duke u kthyer në gruan e parë që merr drejtimin e kryeqytetit japonez. Ajo kandidoi si e pavarur dhe mori më shumë se 2.9 milionë vota në zgjedhjet e së dielës, duke mposhtur bindshëm rivalët e saj.

Një prej telasheve kryesore, me të cilat ajo do të përballet, do të jenë problemet financiare që kanë dëmtuar përgatitjet e Tokios për Lojërat Olimpike të vitit 2020. Të dy paraardhësit e saj dhanë dorëheqjen për skandale me financimet.

“Unë do të drejtoj politikën e Tokios në një mënyrë të paprecedentë. Një Tokio që nuk e keni parë kurrë”, deklaroi 64-vjeçarja Koike pas fitores.

Ajo pranoi se e ndien peshën e madhe të votave që mori, ndaj dhe do të përpiqet të sjellë një drejtim për ri për qytetin. Koike është anëtare e Partisë Liberaldemokrate të kryeministrit Shinzo Abe, por meqë partia nuk e mbështeti, ajo garoi si e pavarur.

Elita e partisë së saj u ndie e tradhtuar, madje disa prej krerëve të saj thanë se nuk mund ta linin Tokion në duart e një gruaje me shumë makiazh. Fushata e saj elektorale në Japoni dhe sondazhet që e jepnin gjithnjë favorite shfaqën anën seksiste të vendi të “samurajve”, ndërsa Koike mori shumë ofendime.

Analistët thonë se, si guvernatore e re e Tokios, barazia me burrave dhe grave do të jetë sfida e saj më e madhe, fushë ku ka ende shumë punë për të bërë në Japoni.

Top Channel