Ishte marrë peng në Brazil, lirohet pa shpërblim vjehrra e bosit të F1

01/08/2016 00:00

Vjehrra e bosit të Formulës 1, Bernie Ecclestone, e cila ishte marrë peng në Brazil, tashmë është liruar pa pasur nevojë të paguhej ndonjë shpërblim, sipas asaj që bën të ditur policia.

Aparecida Schunck, 67-vjeçare, nëna e bashkëshortes së Ecclestonit, Fabiana Flosi, u mor peng në shtëpinë e saj në Sao Paulo plot 10 ditë më parë. Sipas shefes së policisë së Sao Paulos, Elisabete Sato, pengmarrësit kishin kërkuar një shpërblim prej 36.5 milionë dollarësh, por një shumë e tillë nuk është paguar kurrë.

Ajo madje bëri të ditur për BBC-në se është zhvilluar edhe një operacion masiv policor për të liruar viktimën e kësaj pengmarrjeje, në fund të të cilit janë arrestuar dy të dyshuar, ndërsa vjehrra e bosit të sportit më të ndjekur të automobilizmit nuk është lënduar.

Schunck është liruar pasi ishte vendosur nën përgjim të bisedave telefonike mes pengmarrësve dhe familjes së saj, ndërsa vendndodhja u mësua të ishte një fermë në Sao Paulo, thotë policia.

Sipas asaj që bën të ditur BBC, vet Ecclestone ka shprehur dëshirën e tij për të shkuar në Brazil dhe për të ndihmuar me sa të mundej në hetimin e kësaj ngjarjeje, madje ofroi edhe shërbimet e sigurisë private për t’u përballur me pengmarrësit. Megjithatë, policia braziliane e kishte kundërshtuar praninë e tij në Brazil, pasi sipas saj do të ishte kundërproduktive. Ata e këshilluan atë dhe bashkëshorten e tij të qëndronin në Britani.

Ecclestone, 85 vjeç tashmë, është njeriu më i fuqishëm në sportin e Formula 1 e më gjerë, ndërkohë që pasuria e tij përllogaritet në rreth 3.1 miliardë dollarë. Ai është martuar me 38-vjeçaren Flosi në vitin 2012, tre vite pasi ishte takuar me të në një prej Çmimeve të Mëdha të Brazilit. Ai u divorcua nga ish-bashkëshortja prej 25 vitesh, modelja kroate Slavica Radiç, dhe me Flosin jetojnë në Britani.

Top Channel