Francë, myslimanët në kishë. Solidaritet pas vrasjes së priftit

01/08/2016 00:00

Myslimanët anembanë Francës iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në meshat e së dielës në shenjë solidariteti pas vrasjes së priftit 84-vjeçar Jacques Hamel nga dy të rinj të radikalizuar. “Sot, ne të gjithë jemi katolikë të këtij vendi”, tha Anouar Kbibech, kreu i Këshillit Francez për Kultin Mysliman.

Shërbesa të posaçme fetare u mbajtën në vendin e tronditur prej krimit të shëmtuar, Rouen, si dhe në katedralen e famshme të Notre Dame në Paris. Mjaft i prekur, kryepeshkopi i Rouenit Dominique Lebrun, foli për një gjest të rëndësishëm vëllazërie.

“Na thanë dhe unë besoj realisht se u treguan të sinqertë, se nuk ishte Islami ai që e vrau At Hamelin”, u shpreh Lebrun. Këshilli i Kultit Mysliman e cilësoi një ditë më parë ekzekutimin e priftit 84-vjeçar si “akt burracak” e bëri thirrje për unitet mes komuniteteve myslimane dhe të krishtera të vendit. Kjo ishte dhe arsyeja që xhamive në Francë i kërkoi të flasin gjatë lutjes mbi rolin kyç që luan Islami në respektimin e feve të tjera, ndërsa besimtarëve myslimanë u bëri thirrje të vizitojnë kishat më të afërta.

Lëvizja, sipas tij, synon t’u tregojë vëllezërve myslimanë solidaritetin dhe dhembshurinë e myslimanëve të Francës pas tragjedisë së re që tronditi vendin në formën e sulmit ndaj një vendi kulti. Vetë Libri i Shenjtë i Kuranit thotë se çdo shtëpi e Zotit është dhe e myslimanëve dhe nëse duan të luten e nuk kanë afër xhami, por vetëm një kishë, mund të hyjnë e të luten aty.

Meshën e së dielës e kanë ndjekur edhe myslimanët e Italisë. Tre imamë qëndruan në radhën e parë të njerëzve të mbledhur për të ndjekur shërbesën fetare në kishën Santa Maria Trastevere të Romës.

Top Channel