Bilancet e biznesit. Skadon afati i dorëzimit “online” të dokumentave

31/07/2016 00:00

31 korriku është afati i fundit i dorëzimit “online” të bilanceve dhe pasqyrave financiare të vitit 2015 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Kjo e fundit lajmëron se në rast mosdorëzimi të këtyre dokumenteve, për çdo subjekt që shkel afatin do të ketë një gjobë prej 15 mijë lekësh.

Depozitimi i bilanceve dhe pasqyrave financiare mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimit “online” në portalin qeveritar e-Albania. Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare duhet të jetë në PDF dhe i gjithë shërbimi është pa pagesë.

Nga ky detyrim përjashtohen bizneset e huaja, duke qenë se shtetasit joshqiptarë nuk janë të regjistruar pranë Gjendjes Civile. Verifikimi për ta do të bëhet nga punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, pranë sporteleve.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë rreth 22 mijë subjekte që kanë detyrim të depozitojnë pasqyrat financiare dhe bilancet.

Ky është viti i dytë që bizneset duhet të bëjnë dorëzim elektronik.

Si pasojë e përfundimit të afatit, në ditët e fundit të korrikut fluksi i aplikimeve ka qenë i lartë, duke sjellë edhe mbingarkesa të sistemit, por nga QKR-ja sigurohet se aplikimi nuk është ndërprerë në asnjë rast.

Top Channel