Vasili: Pasiguria në burgje, e patolerueshme

31/07/2016 18:00

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar pas ngjarjeve në burgun e Shënkollit dhe atë të Vaqarrit, duke deklaruar se “pasiguria në burgje është e patolerueshme”.

“Të marrë fund papërgjegjshmëria dhe pandëshkueshmëria. Çdo zyrtar të bëjë detyrën ose të ndëshkohet”, ka thënë Vasili.

Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen në Burgun e Shënkollit, gjatë së cilës një i paraburgosur humbi jetën për shkak të shpërthimit të një bombole gazi.

Burimet pohuan se është administruar dëshmia e një të burgosuri, i cili ka kontaktuar i fundit me viktimën Flamur Sulaj, 26 vjeç. 10 minuta përpara se të ndodhte ngjarja, rezulton se viktima ka komunikuar në telefon me familjen dhe kur është kthyer në dhomën, në të cilën ndodhej i vetëm pasi 3 shokët e tjerë ishin në ajrim, është shfaqur i shqetësuar.

Në dhomën 5, ku ndodhi shpërthimi, burimet thonë se gjendeshin 4 bombola gazi të vogla që përdoren për kafe, pra një për çdo të dënuar, ashtu siç thotë edhe rregullorja. Por është e paqartë dhe nuk dihet ende, nëse viktima i ka vënë flakën vet dyshekut, e më pas ka ndodhur shpërthimi, apo gjithçka ka qenë aksidentale.

Ndërkohë nën hetim është edhe ngjarja e Vaqarrit, ku një i paraburgosur për dhunë në familje u qëllua nga gati 500 metra larg burgut me armë zjarri. I plagosuri mbahet në spital nën trajtim, pasi është qëlluar në arterie dhe plaga konsiderohet e rrezikshme për jetën.

Top Channel