Zgjatja e mandatit të EULEX, tashmë me staf të përgjysmuar

31/07/2016 00:00

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it deri më 14 qershor 2018 parashikon edhe rikonfigurimin e misionit. Ky rikonfigurim, i cili nënkupton përgjysmimin e stafit, do të kryhet deri në muajin dhjetor të këtij viti. Kështu ka thënë zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç.

“Vazhdimi i mandatit të EULEX-it deri më 14 qershor 2018 parasheh gjithashtu një rikonfigurim të misionit”, tha ajo. Koçijançiç theksoi se deri në dhjetor të këtij viti EULEX-i pritet ta përfundojë rikonfigurimin.

 “Me këtë rast, misioni do të ketë 800 punonjës, krahasuar me 1.600 sa kanë qenë në mandatin mëparshëm”, është shprehur Koçijançiç.

Sipas zëdhënëses së KE-së, rikonfigurimi do të përfshijë si stafin vendas, ashtu edhe atë ndërkombëtar të misionit. Ajo shtoi se, rikonfigurimi ndjek parimet që janë zbatuar me sukses në reduktimet e mëparshme të stafit për të siguruar një proces të pavarur dhe transparent, i cili gjithashtu përfshin ekspertë të jashtëm të misionit.

“EULEX Kosova po përpiqet të jetë sa më transparente dhe e hapur në komunikim me stafin e tij për të mundësuar që çdo pjesëtar i prekur të përgatitet sa më mirë të jetë e mundur”, u shpreh ajo.

Këshilli Europian ia rinovoi më 14 qershor mandatin EULEX-it edhe për dy vite të tjera.

Top Channel