Urgjencat nëpër plazhe, Qendra Shendetësore në bregdet e në mal

31/07/2016 00:00

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka inspektuar funksionimin e qendrave shëndetësore, që shërbejnë 24 orë gjatë sezonit turistik në Bashkinë e Himarës.

Mjekët thonë se pushuesit paraqesin simptoma të ndryshme, që nga ato gastrointensinale deri te problemet nga konsumi i tepërt i alkoolit.

“Rastet më të shpeshta i kemi nga gastroenteritet, infeksionet e lëkurës, alergjitë nga dielli, infeksionet e veshit dhe intoksikacionet nga alkooli”, thotë Denisa Grembi, Qendra Shëndetësore Himarë.

Ministri kërkoi angazhim maksimal nga bluzat e bardha, teksa shtoi se është rritur numri i qendrave shëndetësore 24 orëshe në të gjitha zonat turistike, si dhe personeli mjekësor që ofron shërbim në to.

“Këtë vit janë 25 qendra shëndetësore në zonat bregdetare dhe ato malore. Nga viti i mëparshëm kemi shtuar Kalanë e Dodës, Kelmendin dhe Prespën. Në të gjithë gjatësinë e bregdetit të jugut kemi shërbim të shtuar. Deri më sot kemi rreth 16 mijë apo 17 mijë raste që janë shërbyer, por vetëm në pjesën e mbuluar nga Qendra Shëndetësore e Bashkisë së Himarës, nga Palasa deri në Qeparo, kemi rreth 1.400 persona të shërbyer”, tha ministri Ilir Beqaj.

Qendrat shëndetësore 24 orë në shërbim të pushuesve i ka vlerësuar edhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, i cili tha se me autoambulancat e vëna në dispozicion është shërbyer edhe në fshatrat përreth.

Top Channel