Investime në Jug për të zgjidhur problemet me energjinë. Shpëton Himara

31/07/2016 00:00

Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike dhe cilësia e dobët e furnizimit në bregdetin e jugut vë në rrezik prej vitesh sezonin turistik nga Vlora, në Sarandë.

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri thotë se, në linjat që furnizojnë zonën më të frekuentuar nga pushuesit përgjatë verës nuk është investuar që nga periudha e elektrifikimit.

Për të përmirësuar këtë situatë, OSHEE ka nisur një plan investimesh në zonat bregdetare nga veriu në jug, që kap shifrën e 25 milionë dollarëve, prej të cilave rreth 7.7 milionë vetëm për Jugun.

“U vu në funksionim për herë të parë një stacion i lëvizshëm, i cili u instalua në Himarë, gjithashtu janë bërë edhe investime të reja, siç janë linja 35 kilovolt dhe nënstacioni i ri në Dhërmi. Po shqyrtojmë edhe ofertat për dy nënstacione të reja për Orikumin dhe Himarën, të cilët do të jenë investime përfundimtare, e do të kompletojnë të gjithë pjesën e jugut, nga Vlora deri në Sarandë”, tha ministri Damian Gjiknuri.

“Me të drejtë mund të pyesni përse këto investime nuk u bënë më parë, që të kapej edhe sezoni i kaluar. Këto janë investime që ndjekin një rrjedhë logjike  dhe nuk mund të bëheshin para investimeve të tjera, siç ishin ndërtimi i linjës 110 kV nga OST”, tha Ardian Çela.

OSHEE thotë se, me planin e 2017-s është planifikuar një investim prej 100 milionë dollarësh në total, në të gjithë sistemin e shpërndarjes.

Top Channel