Ibra lë shenjën e parë të United. Gol dhe ftesë ndaj Paul Pogba

31/07/2016 00:00

Stadiumi “Nya Ullevi” në Goteborg të Suedisë u bë arena e një entuziazmi shpërthyes, pas golit të bukur me të cilin Zlatan Ibrahimoviç nisi romancën me fanellën e Manchester United.

Në miqësoren e “djajve të kuq” të fituar 5-2 kundër Gallatasarajit, sulmuesit suedez iu deshën vetëm 218 sekonda për të lënë me gojën hapur të gjithë bashkëkombasit e tij në tribuna.

Në një krosim të Valencias nga e djathta, numri 9 i Manchester United u koordinua në perfeksion dhe befasoi portierin Muslera. Rrjeta e bukur ndezi entuziazmin edhe te lojtarët në pankinë, e në veçanti te Mourinho, që e kërkoi me ngulm futbollistin me origjinë boshnjake.

Gallatasaraji mbijetoi duke barazuar, pavarësisht nisjes së keqe, por golat e Gumus dhe Bruma nuk kishin vlerë. Iluzionet turke morën fund me një pjesë të dytë të monopolizuar nga talenti i Wayne Rooney, ndërsa Zlatan Ibrahimoviç la të kuptohej se Pogba është pranë firmës.

“Nëse vjen edhe Paul Pogba te Manchester United, atëherë do të jetë më interesante se kaq. Të shohim se çdo të ndodhë, por po ndërtojmë diçka të madhe”, tha shtatlarti suedez.

Top Channel