PD: Thellohet skandali i taksës 10 euro në “Rrugën e Kombit”

31/07/2016 00:00

Një tjetër deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka pasur në fokus taksën e re 10 euroshe për kalimin në “Rrugën e Kombit”, për të cilën nga selia blu thonë se janë shkelur kriteret e tenderit.

“Thellohet skandali me taksën 10 euroshe, që Edi Rama ka vendosur mbi kurrizin e shqiptarëve për një kalim në ‘Rrugën e Kombit’. Përveçse një barrë e re mbi xhepat e qytetarët të lodhur e të varfëruar, fakte të reja tregojnë se kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive”, shprehet zëdhënësja Zhupa.

Sipas Partisë Demokratike, Qeveria ka shkelur kriterin ligjor në tender, të cilin e kishte vendosur vet, e ku përcaktohej se firma më e favorizuar në garë do të ishte ajo që do kërkonte më pak fond rimbursimi nga qeveria.

“Ndërkohë, Edi Rama shpalli fituese kompaninë turke, edhe pse ka kërkuar 600 mijë euro më shumë fond rimbursimi, sesa operatori tjetër në këtë garë. Taksa e re 10 euroshe e Edi Ramës ndaj shqiptarëve jo vetëm është e padrejtë, por është vendosur mbi një aferë ku është shkelur haptazi konkurrenca dhe ligji”, thotë me tej Ina Zhupa.

Duke theksuar se qytetarët janë me të drejtë të revoltuar nga taksa “Rama” për “Rrugën e Kombit”, Partia Demokratike del në përkrahje të qëndrimit të qytetarëve dhe “i sigurojmë ata se do ta anulojmë këtë koncesion sapo të marrim përgjegjësinë e drejtimit të vendit”.

Top Channel