PD, Basha: Rama ndryshon tinëz buxhetin e shtetit

31/07/2016 00:00

Në një deklaratë për mediet të publikuar mesditën e kësaj të diele, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se ka ndryshuar në mënyrë tinzare buxhetin e shtetit, me akt normativ, pa e dërguar atë në komisione dhe në Parlament.

“Pse? Pse kështu hajdutçe, fshehtasi, duke shmangur debatin, kundërshtimin, kritikën?”, pyet Basha në vijim të së cilës jep edhe përgjigjen. “Sepse me ndryshimin e buxhetit, Edi Rama nuk rrit asnjë pagë, tall dhe poshtëron 635 mijë pensionistët me indeksimin 1.6 për qind, pra një bukë e 100 gramë djathë në muaj, kur çmimet janë rritur e nuk kanë të ndalur”, thekson Basha.

Kryeministri në ikje, – siç shprehet kryeopozitari, – nuk rrit asnjë qindarkë fondet për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. “Kur papunësia rritet çdo ditë, ai nuk shton, por e ul me 10% fondin për pagesën e papunësisë. Asnjë qindarkë për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë. Kryeministri në ikje ul fondet për arsimin, shëndetësinë dhe burgjet, ul fondet për investimet me financim të huaj. Rrit borxhin publik për vitin 2016”, deklaron Basha.

Më tej, Basha bën të ditur se pavarësisht masave shtrënguese ndaj popullsisë, kryeministri Rama ka shtuar 68 punonjës të rinj në administratën e Kryeministrisë, të cilët i konsideron si “sharës të rinj në pallatin e tij, që do të paguhen me paratë e shqiptarëve për t’i shërbyer propagandës e fjalëve, e aspak punës”.

Duke theksuar se kjo është qeverisja e degraduar dhe korruptive e kryeministrit në ikje, me taksa të larta, gjoba të larta, çmime të larta dhe luks e shërbëtorë për vete, e duke ulur fondet dhe rritur mjerimin për shqiptarët, Basha shprehet se PD-ja e ka një plan shpëtimi për vendin.

“Në programin tonë, buxheti do të jetë pronë e shqiptarëve, jo plaçkë për t’u ndarë sipas tekave. Ne do të ulim taksat dhe shpenzimet qeveritare. Çdo fond do të shkojë për investime, për vende të reja pune, për paga e pensione më të larta, për zbutjen e varfërisë në vend dhe per një ekonomi të fortë e një të nesërme të sigurtë për të gjithë shqiptarët”.

Ja dhe analiza që PD i ka bërë buxhetit të rishikuar për atë që ka mbetur nga viti 2016:

– Zero rritje per pagat, vazhdojne te jene te ngrira, duke dobësuar edhe më shumë fuqinë blerëse.
– Nuk rrit pensionet, indeksimi poshtë detyrimit ligjor sepse inflacioni 2015 rezultoi ne masen 1.9%, ndërsa indeksimi vetem ne masen 1.6%, duke dobësuar edhe më tej fuqine blerese.
– Zero rritje fondet per ndihmen ekonomike, me zero perfitim per familjet nevojtare.
– Ul me 10% fondet per pagesen e papunesise, ndonese papunesia eshte me e larte sesa ajo e para 2-3 viteve.
– Zero rritje fondet per kompensimin e ish te perndjekurve politike.
– Ul me 34 milione leke investimet ne “arsimin baze” (-2.5%).
– Ul me 199 milione leke investimet ne “arsimin e larte” (-28%)
– Ul me 108 milione leke investimet ne “kujdesin paresor” (-35%).
– Ul me 140 milione leke investimet ne “sherbimin kombetar te urgjences” (-47%).
– Ul me 62 milione leke investimet ne “arsimin profesional” (-11.7%).
– Ul me 88 milione leke investimet ne “sistemin e burgjeve” (-9.1).
– Ul me 2.15 miliarde leke fondet e Fondit Shqiptar te Zhvillimit, (- 28.3%).
– Rrit me 68 punonjes te aparatit te Kryeministrise.
– Rrit borxhin publik per vitin 2016 me 1.3 miliarde leke (3.8%).

Top Channel