Lojërat Olimpike, përurohet në kohë metroja e Rio de Janeiros

31/07/2016 00:00

Linja e metrosë së Rio de Janeiros u përurua enkas në kohë për Lojërat Olimpike të javës që vjen. Projekti i fundit infrastrukturor, i vënë në jetë për Olimpiket e gushtit, përbën dhe një prej investimeve më të mëdha sa i takon olimpiadës së trashëguar nga lashtësia. Ceremoninë e përurimit e drejtoi Presidenti i përkohshëm i vendit, Michel Temer.

Shtrirja 3.1 miliardë dollarëshe e linjës së metrosë nga lagjja e “Ipanema”-s deri në atë të “Barra”-s, zona që strehon Parkun dhe Fshatin Olimpik, konsiderohet e një rëndësie kyçe për një transport sa më të qetë të admiruesve dhe atletëve, ndërmjet vendeve të ndryshme ku do të zhvillohen konkurrimet.

Metroja do të përdoret vetëm nga atletët dhe anëtarët e delegacionit, fansat e pajisur me bileta për garat e ditës, gjatë të cilës udhëtojnë, dhe të tjerë me leje të posaçme në të gjithë lojërat. Hapja për publikun do të jetë më 19 shtator, një ditë pas mbylljes së Paralimpikeve.

Në ceremoninë përuruese, Temer u tha reporterëve se shpreson shumë që eventi më i madh sportiv i globit të ndihmojë në bashkimin e një Brazili të përçarë e të përballur me një krizë fortë politike dhe ekonomike, që ka kaluar nëpër vështirësi e pengesa të mëdha për organizimin e këtyre lojërave.

Temer pritet gjerësisht ta zyrtarizojë qëndrimin e tij në krye të shtetit brazilian, vetëm disa ditë pas përfundimit të Olimpikeve më 21 gusht. Presidentja e pezulluar Dilma Rousseff përballet me një gjykimin për parregullsi buxhetore, e Senati me shumë gjasë do të votojë kundër saj javën e fundit të gushtit.

Top Channel