Lapraka, me fushë sportive dhe kënd lojërash. Veliaj: Poliqendër e Tiranës

31/07/2016 00:00

Lapraka do të ketë së shpejti një fushë të re sportive dhe një kënd lojërash për fëmijë. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për një projekt të këtij lloji për komunitetin e Njësisë 11, në sheshin “Lord Bajron”. Sipas planit të ri rregullues, Lapraka do të jetë edhe një nga poliqendrat e Tiranës.

“Për 51 javë kemi zbatuar moton ‘Çdo ditë nga një punë konkrete për Tiranën’ dhe më vjen mirë që puna konkrete e ditës së sotme, teksa mbyllëm vitin tonë të parë, ka të bëjë me fillimin e një projekti fantastik këtu në Njësinë 11, në zonën e Laprakës, që do të përfundojë brenda muajit gusht, me një terren sportiv të cilësisë më të lartë, si fusha basketbolli, dhe me një kënd lojërash për të gjithë fëmijët”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj theksoi se investimet nuk po bëhen vetëm në qendër të Tiranës, por në çdo cep të saj.

“Lapraka do të jetë pjesë e poliqendrave të Tiranës, do të jetë një qendër më vete. Por që të jetë e tillë, këtu nuk mund të ketë vetëm banka dhe institucione për të rriturit, por edhe terrene sportive e lodra për fëmijët, si dhe mjedise çlodhëse për të moshuarit. Mezi pres që, duke nisur nga shtatori, marrëveshja e re që kemi me basketbollistët, ish-basketbollistët, trajnerët dhe sportdashësit, t’i hapë të gjitha palestrat e qytetit të Tiranës për përdorim të komunitetit. Kjo do të thotë që në shkolla si “Ahmet Gashi”, pasi mbaron ora e 6 e mësimit, komuniteti do të ketë akses në këto terrene sportive dhe në palestrat e shkollës, për t’u siguruar që shkolla nuk është një parkim me orar i fëmijëve, por është një hapësirë komunitare, e cila funksionon gjatë të gjithë orëve të ditës”, deklaroi më tej Veliaj.

Kryetari i bashkisë kërkon nga qyetarët të ruajnë atë që sot po ndërtohet në kryeqytet, në të mirë të komunitetit.

Top Channel