Tallet me nënën e ushtarit të vrarë, zemërim dhe kritika ndaj Trumpit

31/07/2016 00:00

Nuk ka shkaktuar thjesht indinjatë këtë herë Donald Trumpi me deklaratat e tij, por zemërim të mirëfilltë. Tallja e kandidatit presidencial me nënën e një ushtari të vrarë mysliman, e cila qëndroi në heshtje kur i shoqi sulmoi Trumpin në një fjalim të tij, nuk është kapërdirë lehtë.

Ghazala Khanit, sipas miliarderit, mbase nuk i është lejuar të flasë. Politikanë në zë reaguan menjëherë duke thënë se nuk mund të flitet kështu për nënën e një heroi.

Khizr Khan iu drejtua Konventës demokrate ditë më parë duke kujtuar të birin, kapitenin Humayn Khan, i cili vdiq në vitin 2004 në Irak nga shpërthimi i një autobombe. Ai ishte 27 vjeç. “Ke qenë ndonjëherë në varrezën e Arlingtonit?”, i drejtoi Khizr një pyetje Trumpit. “Shko shiko varret e atyre amerikanëve trima, që vdiqën duke mbrojtur këtë vend. Ata janë të të gjithë besimeve, gjinive dhe etnive. Ti vet nuk ke sakrifikuar asgjë”.

Përgjigjja në distancë e manjatit ishte se ka bërë shumë sakrifica, duke krijuar vende pune. Por reagimet shpërthyen edhe më shumë, kur vuri në lojë të shoqen e Khanit, e cila e ndoqi në heshtje fjalën e bashkëshortit.

“Po të shohësh gruan e tij, ajo thjesht qëndron aty në këmbë. Nuk kishte asgjë për të thënë. Ose mbase nuk i lejohej të nxirrte ndonjë fjalë nga goja. Se cila është e vërteta, këtë ma thoni ju”, tha Trump.

Ghazala Khan rrëfeu pas këtij komenti të Trumpit se nuk kishte folur, pasi ende nuk e ka kapërcyer dhimbjen që i ka shkaktuar humbja e të birit, fotografinë e të cilit nuk e sheh dot pa shpërthyer në lotë.

Top Channel