“Game of Thrones” e ka një fund

31/07/2016 00:00

Është njëri prej serialeve më të shikuara të botës, një hit që ka pushtuar globin e që shënon rekord edhe në historinë e televizionit, por adhuruesit e tij tanimë do të duhet të kënaqen me çfarë do të ofroje sezoni i tetë i “Game of Thrones”, sepse do të jetë i fundit.

Lajmin e përcjell rrjeti amerikan “HBO”, drejtori i programacionit të të cilit Casey Bloys konfirmoi në konferencën e shoqatës së kritikëve të televizionit spekulimet që po qarkullonin prej disa kohësh.

Sezoni i 7, i përbërë nga 7 episode në vend të dhjetëshes së zakonshme, pritet verën e vitit që vjen, ndërsa ai përfundimtari do të jetë në vitin 2018. Seriali që ndërthur magjinë me aksionin, ku çdo gjë është në ndryshim, e ku e papritura nuk ta lejon rehatinë e parashikimit, mbështetet në romanin e George R. R. Martin. Producentët, megjithatë e kanë çuar një hap më tej sagën legjendare, me situata që kapërcejnë faqet e librit.

Se cili do të jetë numri i episodeve të sezonit të fundit, kjo nuk është përcaktuar ende sipas Bloys, i cili nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi të mëvonshëm. Producentët e afrojnë këtë si ide, – sqaroi ai, – por plane konkrete për momentin nuk ka.

Vitin e kaluar, “Game of Thrones” shënoi rekord me 12 çmime “Emmy” për seritë brenda një viti të vetëm, ndërsa përpara ceremonisë së sivjetshme në shtator, ka siguruar që tani 23 nominime.

Top Channel