Jeta nën frikën e terrorit, normalitet i ri në Europë

31/07/2016 00:00

Vetëm përgjatë pak ditësh, lule e qirinj për viktimat mbushën një rrugë të Mynihut, qetësia e një qyteti të vogël bavarez u trondit nga bomba e sajuar vet e një kamikazi, si dhe një kishë në Francë u mbyll sepse priftit të saj i prenë fytin.

Përpara këtyre ngjarjeve frikësuese, një i ri me sepatë terrorizoi një tren në Gjermani. Veprimi i tij ishte paraprirë nga sulme të tmerrshme në Nicë, Bruksel e Paris. Këtë vit ka pasur një përshkallëzim të incidenteve të dhunshme të lidhura me ISIS-in në Europë e përtej saj, duke fillluar nga Turqia deri në Bangladesh, e nga Shtetet e Bashkuara në Indonezi.

Sipas grupit “IntelCenter”, i cili regjistron aktet e terrorizmit, që prej 8 qershorit ka pasur të paktën një sulm të rëndësishëm të drejtuar apo frymëzuar nga ISIS-i çdo 84 orë në qytete jashtë zonave të luftës së Irakut, Sirise, Sinait në Egjipt dhe Libisë.

Më shumë se gjysma e tyre kanë ndodhur në vende që nuk janë tradicionalisht të kërcënuara nga sulmet terroriste. Kjo valë sulmesh rastësore e jo gjithmonë të sofistikuara ka ushqyer tek europianët ndjenjën e pasigurisë, e ka gërryer besimin e tyre se qeveritë do ta menaxhojnë kërcënimin terrorist, apo se do të arrijnë t’i pikasin ata që mund t’i kthehen dhunës.

Pakënaqësia rrethon sistemin e drejtësisë franceze së akuzuar se ka lënë të lirë shumë njerëz të rrezikshëm. Ndonëse kishte tentuar të shkonte dy herë në Siri, Adel Kermiche – njëri prej dy 19-vjeçarëve që vranë priftin Jacques Hamel, – ishte vendosur thjesht nën mbikëqyrje dhe lejohej të dilte nga shtëpia 4 orë në ditë.

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për deportimin e tij, autori i bombës në Ansbach, Daleel Mohammad vazhdonte të ishte në Gjermani. Ajo që deri dje për Europën ishte e largët dhe e paimagjinueshme, jeta me idenë se dikush pranë teje mund të hapë zjarr apo të hidhet në erë, tani po jep shenjat e para të shndërrimit në normalitetin e ri të kontinentit të vjetër.

Top Channel