Miqësore, Marcelo bën Ronaldon në fitoren ndaj Chelseat

30/07/2016 00:00

Pas humbjes ndaj PSG-së, Real Madrid ka arritur te fitojë ndeshjen e parë në Shtetet e Bashkuara. Djemtë e Zidane mposhtën 3-2 londinezët e Chelseat duke i shkaktuar humbjen e dytë në 5 ndeshje trajnerit Conte.

Ky i fundit do të ketë disa fjalë me mbrojtësin e djathtë Aina dhe portierin Begovic, të cilët dështuan të jenë në nivelin e ndeshjeve të kaluara. Mospërvoja e të parit dhe pozicionimi jo i mirë i të dytit bëri që Chelsea të pësonte 3 gola që në pjesë të parë.

Në harkun kohor prej 7 minutash, Marcelo realizoi dopietë duke goditur rëndë anglezët. Fillimisht, braziliani gjen rrjetën në të 19-n me një gjuajtje spektakolare, ndërsa në të 26-n pas një solo aksioni shënon për 2-0.

Pjesa e parë u mbyll 3-0 falë një tjetër perle të të riut Mariano që vëren një dalje të Begovic dhe shënon nga jashtë zone.

Pjesa e dytë foli për Chelsean, e cila merr kontrollin e ndeshjes dhe shënon dy gola. Në 20 minuta lojë Eden Hazard dha sinjale të mira, duke shënuar dopietë e duke bërë një paraqitje që jep shpresë për sezonin e ri.

Belgu fillimisht gjen rrjetën në minutën e 80, ndërsa golin e dytë e realizoi në të 91-n.

Top Channel