Libra shkollorë dixhitalë

30/07/2016 00:00

Biblioteka Kombëtare do të zhvillojë pasurinë e saj të dixhituar edhe me literaturën e letërsisë shqipe të shkollave. Duke filluar nga shtatori ky do të jetë prioritet për t’ju përgjigjur një nevoje të krijuar prej vitesh në leximin shqip dixhital edhe nga nxënësit.

“Ne po përpiqemi në disa nivele që në fillim të vitit shkollor një pjesë e literaturës të letërsisë shqipe që studiohet në shkollat tona, ajo që nuk mbulohet nga ‘copyright’, të jetë pjesë e bibliotekës dixhitale në Bibliotekën Kombëtare. Libra si vepra e Nolit, Çajupit, Asdrenit, Fishtës apo e Migjenit”, tha Prof. Dr. Persida Asllani, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Biblioteka Kombëtare së fundmi ka pasuruar fondin dixhital me emra të rëndësishëm të shtypit kulturor që prej vitit 1900, si revistat “Minerva”, “Përpjekja Shqiptare”, “Agimi”, “Rilindja” dhe “Kalendari i Vietës”.

“Strategjia që po ndjekim është e një zhvillimi paralel duke filluar nga antikuarë, hartat dhe materialet albanologjike përfshirë libra e dorëshkrime, publiku sot ka mundësi që të shfletojë koleksionet e mrekullueshme të ‘Albanisë’, ‘Yllit të Dritës’, tashmë të ‘Minervës’, ‘Përpjkejes Shqiptare’, Agimit’, etj.” Vijoi Asllani.

Gjithsej janë 720 njësi të dixhituara, të kategorisë 16 libra, 18 antikuarë, 14 dorëshkrime, 594 periodikë apo 78 harta. Ato janë të shfletueshme në çdo pajisje elektronike.

Top Channel