Efekti i Euro 2016, rritet fluksi i pushuesve europianë në plazhet e Durrësit

30/07/2016 00:00

Pushues nga vende të ndryshme të Europës kanë zgjedhur plazhet e Durrësit për të pushuar këtë verë. Nuk është fjala vetëm për emigrantët shqiptarë dhe kosovarë, po për shtetas të huaj që janë akomoduar në hotelet e shumta që ngrihen përgjate bregdetit të Adriatikut.

Pronarët e tyre shprehen të kënaqur nga frekuentimi i pushuesve që ka ardhur në rritje në krahasim me vitet e kaluara.
“Sivjet ka pasur frekuentim më të madh. U bë ditë që dhomat janë plot. Ka të huaj, por ka edhe pushues nga Kosova. Deri tani jemi shumë mirë.”, deklaroi Arben Drazhi, pronar hoteli.

Edhe Shoqata e Turizmit Shqiptar në Durrës deklaron se ky sezon turistik ka kthyer pushuesit e huaj në plazhet e Durrësit që shtrihen nga Gjiri i Lalzit në veri dhe deri të Shkëmbi i Kavajës në jug.

Rritja e cilësisë së shërbimeve dhe e bashkëpunimit privat-publik në promovimin e bregdetit shqiptar ka sjellë rezultatet e veta, duke përmbysur edhe raportin mes pushuesve vendas dhe atyre të huaj.

“Ne vëmë re një fluks më të madh turistësh, sidomos turistët e huaj. Na ka bërë përshtypje ardhja e turistëve zviceranë të cilët na kanë pas munguar duek qenë edhe shumë afër”, tha Eduard Xhepa nga Shoqata e Turizmit në Durrës.

Ardhja e turistëve nga Zvicra, Austria e Gjermania në Durrës për pushimet verore shihet dhe si ndikim i drejtpërdrejt i prezantimit dinjitoz të skuadrës së futbollit dhe tifozërisë shqiptare në Euro 2016.

Top Channel