Mishi “çan” bllokadën, nuk ndalet shitja

30/07/2016 00:00

Edhe pse ministria ka urdhëruar bllokimin e plotë të therjes dhe tregtimit për mishin e gjedhit, në treg urdhri nuk po zbatohet. Top Channel vëzhgoi disa pika tregtimi në kryeqytet, në të cilat mishi i viçit dhe lopës i cili vjen nga zona të ndryshme të vendit, po tregohet masivisht.

TCH: Çfarë mishi keni blerë?
Qytetari: Mish viçi.
TCH: Vendi?
Qytetari: Po, po.
TCH: Ka në treg?
Qytetari: Po, ka.

Jashtë kamerave edhe tregtarët pranojnë se janë duke tregtuar mish viçi dhe lope vendi, që sipas tyre theren dhe shpërndahet në treg krejtësisht jashtë rrjetës së kontrollit shtetëror.

Ministria e Bujqësisë pati vendosur bllokimin e plotë të therjes së gjedhit vendas për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dermatoza nodulare, e cila ndonëse nuk prek njerëzit shkakton ngordhje masive të kafshëve.

“Unë mendoj se Ministria e Bujqësisë këtë situatë e ka kapur në kohën e duhur dhe po monitoron situatën shumë mirë dhe po arrin të shpëtojë këtë pasuri. Nëse kemi kafshë të shëndetshme do të kemi edhe produkte të shëndetshme”, shprehet Edi Fero, drejtor i Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë.

Por siç dëshmojnë pamjet urdhri nuk zbatohet. Në treg mund të qesh thuajse kudo mishi viçi dhe lope vendi, të cilat sipas tregtarëve vijnë theren më mënyrë informale jashtë kontrollit të institucioneve.  

Top Channel