Vasili i përgjigjet Majkos: S’ka keqkuptim në deklaratat e Metës. LSI, korrekte

30/07/2016 00:00

Një ditë pasi deputeti socialist, Pandeli Majko, në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se diskutimet e reformës në drejtësi prodhuan tensione mes koalicionit qeverisës, ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili thotë se qëndrimi i LSI-së ka qenë konsistent sa i përket reformës dhe raporteve me PS.

“Nuk ka asnjë keqkuptim për reformën në drejtësi lidhur me qëndrimin e LSI-së dhe z. Meta. Jam i bindur që z. Majko nuk është i informuar, që në tavolinat e nivelit të lartë të koalicionit që nga dita e parë kur kjo reformë filloi të hartohej edhe deri në miratimin e saj në mesnatën e 21-22 korrikut, qëndrimi i z. Meta dhe i LSI-së ka qenë i palëvizshëm për të pasur një reformë në drejtësi sipas standardeve të Venecias dhe me konsensus”, thotë Vasili.

Majko foli për Zërin e Amerikës për ‘tendenca afrimi mes LSI-së dhe Partisë Demokratike”.

“LSI ka qenë një forcë shumë korrekte në raportet e saj me koalicionin dhe ky qëndrim ka qenë i qartë edhe në tavolinat e nivelit më të lartë të koalicionit, por edhe në të gjitha nivelet e tjera të komunikimit ku unë kam qenë i pranishëm edhe personalisht’, shtohet në deklaratë.

“LSI dhe Ilir Meta nuk kanë vënë asnjëherë kushte apo kushtëzime pushteti ndaj Edi Ramës dhe PS-së. Por ka pasur vetëm një kusht, që është vendosur nga LSI për PS-në para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ai ishte që Partia Socialiste, në opozitë në atë kohë, të votonte tre ligjet që ishin detyrim i integrimit europian, pasi ekzistonte shqetësimi i madh se në rast se koalicioni PS-LSI nuk do të arrinte 84 vota, Berisha do të bënte të njëjtën gjë duke penguar procesin e integrimit evropian të vend”, vijon deklarata.

Top Channel