Francë, ekstradohen dy të dyshuar për sulmet e nëntorit

30/07/2016 00:00

Dy pjesëtarë të dyshuar të celulës së Shtetit Islamik që fajësohet për masakrën e 13 nëntorit në Paris, u ekstraduan në france dhe u akuzuan për terrorizëm.

29-vjeçari algjerian, Adel Haddadi dhe pakistanezi Muhamad Usman Gani, 35 vjeç u arrestuan në një qendër për emigrantët në Austri, në muajin dhjetor. Hetuesit besojnë se ate kishin udhëtuar me agresorët e Parisit në Greqi dhe se ishin bashkëpunëtorë të mundshëm. 

Dy të dyshuarit kishin mbërritur në Greqi me një anije refugjatësh, por u ndaluan pasi rezultoi se kishin pasaporta të falsifikuara siriane. Më pas u liruan dhe udhëtuan drejt Salzburgut, ku u arrestuan sërish pas sinjalizimeve të policisë franceze.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Haddadi i kishte thënë policisë se donte të shkonte në Francë për të përmbushur një mision, ndërsa Gani mendohet të jetë një prodhues bombash nga grupi militant pakistanez Lashkar e Taiba.

Sulmet e kordinuara, që goditën Parisin vitin e kaluar ishin më të rëndat në historinë e Francës. Persona të armatosur dhe kamikazë sulmuan gati njëkohësisht sallën e koncerteve Bataklan, stadiumin kombëtar të futbollit, bare dhe restorante, duke lënë të vdekur të paktën 130 persona.

Top Channel