FBI ngre alarmin: Diasporë terroristësh në BE e SHBA

29/07/2016 00:00

Rreziku për sulme terroriste në Europë dhe SHBA është më i lartë së kurrë. Alarmi ngrihet nga numri një i FBI-së, James Comey, sipas të cilit sukseset e shënuar kundër ISIS-it në Irak dhe Siri rrisin mundësinë e eksportimit të terrorit në Europën Perëndimore dhe Amerike.

Sipas tij bota duhet të përgatitet për atë që e quan një diasporë të paprecedente xhihadistësh nga Lindja e Mesme. Gjatë një konference në Nju Jork, Comey paralajmëroi se fitoret e shënuara në fushën e betejës kundër Shtetit Islamik në Siri do të shpërndajnë celulat terroriste rreth globit.

“Në një farë pike, metastazat e terroristeve jashtë Sirisë do të arrijnë nivele të papara ndonjëherë. Jo të gjithë luftëtarët e Shtetit Islamik do të vdesin në fushëbetejë”, citon “New York Times” fjalët e drejtorit të FBI-së.

Sipas numrit një të Byrosë Federale të hetimeve në SHBA, ISIS përbënte një problem shumë më kërcënues nga Al Kaeda.

“Flitet për një kërcënim 10 herë më të madh se çdo gjë tjetër me të cilën jemi ndeshur deri më tani”, vijon Comey.

Më herët gjatë verës, kreu i FBI-së i tha gazetarëve se agjentët po hetonin 1 mijë raste të amerikanëve të radikalizuar nga propaganda e grupeve terroriste. Në atë rast ishte shprehur se aftësia e ISIS-it për të motivuar e frymëzuar shpirtrat e trazuar, mbetej një rrezik konstant në SHBA.

Top Channel