Turqi, Erdogani akuzon gjeneralin amerikan: Po mban anën e komplotuesve

29/07/2016 00:00

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka sulmuar komentet e bëra nga gjenerali më i lartë i Shteteve të Bashkuara, Joseph Votel, mbi tentativën e dështuar për grusht shteti, e madje e akuzon atë se “po mban anën e komplotuesve”.

Gjenerali Votel, kreu i Komandës Qendrore amerikane, tha se burgosja e disa prej udhëheqësve të ushtrisë mund të dëmtojë bashkëpunimin ushtarak mes Turqisë dhe Amerikës.

Tayyip Erdogan tha se Votel duhet ta falënderojë Turqinë që po bën gjithçka të mundshme për të siguruar demokracinë në vend. Ndërkohë, ministri turk i Brendshëm njoftoi këtë të premte se deri më tani janë burgosur 18 mijë njerëz.

Një ditë më parë, Votel ishte shprehur se “ne, sigurisht që kemi pasur marrëdhënie me shumë udhëheqës të Turqisë, por edhe me udhëheqës ushtarakë të saj në veçanti. Jam i shqetësuar në lidhje me ndikimin që mund të kenë këto arrestime me marrëdhëniet tona të vazhdueshme”.

Një ditë më pas, Presidenti Erdogan i është kundërpërgjigjur: “Nuk është puna juaj të merrni këtë vendim. Kush jeni ju në fund të fundit? Ju thjesht duhet të dini se ku e keni vendin. Jeni duke marrë një qëndrim në krah të komplotuesve të grushtit të shtetit, në vend që të falënderoni këtë shtet për mposhtjen që i bëri një tentative për grusht shteti”.

Më tej, kreu i Turqisë shtoi se “kritikët shprehet se janë të shqetësuar mbi të ardhmen e Turqisë. Por për çfarë konkretisht janë të shqetësuar këta zotërinj? Mos janë të shqetësuar mbi numrin e të burgosurve dhe të arrestuarve? Nëse ata janë fajtorë, sigurisht që ky numër do të rritet”.

Erdogan tha gjithashtu se “populli im e di mirë se kush fshihet pas kësaj skeme. Ata e dinë se cili shërbim sekret fshihet pas saj, ndërsa me deklarata të tilla ju thjesht sa po zbuloni vetveten. Po nxirrni jashtë sekretet tuaja”.

Duke replikuar sërish me komentet e Erdoganit, këtë të premte, gjenerali Votel tha se çdo lloj raportimi, që thotë se ai vet është i përfshirë në grushtin e shtetit, është “për të ardhur keq dhe plotësisht i pasaktë”. Ai shtoi madje se Turqia ka qenë një “partner i jashtëzakonshëm dhe jetik” prej vitesh, ndaj dhe synon ende të ruhet ky partneritet në luftën kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane (DNI), James Clapper, ishte gjithashtu njëri prej atyre që të enjten tha se, masat goditëse të Turqisë ishin duke sjellë probleme në koordinimin ushtarak turko-amerikan në luftën kundër ISIS.

Më shumë se 66 mijë punonjës të sektorit publik janë shkarkuar nga detyra, ndërsa 50 mijë pasaporta janë bërë të pavlefshme, ndërkohë që edhe Ministria e Punës është duke hetuar rreth 1.300 pjesëtarë të stafit të saj. Shteti turk ka mbyllur deri më tani 142 organizata mediatike dhe ka burgosur disa gazetarë.

Top Channel