Juventus në Hong Kong, në miqësore edhe blerjet e reja

29/07/2016 00:00

Juventus po shpreson se miqësoret e programuara në Hong Kong në turin aziatik të kampionëve të Italisë të shkojnë më mirë sesa konferenca e parë e shtypit që bardhezinjtë zhvilluan këtë fundjavë.

Gjatë një takimi kaotik me gazetarët që u ndërpre vazhdimisht nga përkthyesi, shpërthyen të qeshurat, por kjo nuk e devijoi trajnerin Allegri nga objektivat edhe pse ndryshoi gjuhën në anglisht.

“Higuain është një blerje e madhe ashtu dhe si lojtarët e tjerë që i janë shtuar skuadrës këtë sezon. Klubi po bën një merkato fantastike dhe jemi shumë konkurrues por nga kjo nuk i marrim rezultatet si të mirëqena dhe duhet të punojmë shumë për të fituar”, tha trajneri Allegri.

“Zonja e Vjetër” do të përballet me Kinën Jugore dhe Hong Kongun në një turne veror por vëmendjen më të madhe e morën blerjet e reja.

“Pjanic dhe Benatia luajtën mirë në Australi dhe do të impenjohen sërish. Nuk e di nëse do të jenë në fushë për 15 minuta apo një orë pasi do të varet nga ndeshja”, tha trajneri i Juventus. Kampionët e Italisë do të nisin mbrojtjen e titullit në Serinë A ndaj Fiorentina-s në 21 gusht.

Top Channel