Miratimi i “vetting”-ut, Meta: Vendosim për dy ditë, po konsultohemi

29/07/2016 00:00

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin kanë hyrë dhe kanë dalë sa në zyrën e Ilir Metës, në zyrën e Fatmir Xhafajt, në përpjekje për të koordinuar një zgjidhje të përshtatshme për kohën e miratimit të ligjit të “vetting”-ut. Kreu i Kuvendit, bashkë me ambasadorët janë në kontakt me përfaqësuesit e partive, por deri tani nuk kanë marrë ndonjë vendim.

“E vetmja gjë që mund t’iu them me siguri është se, deri më 11 gusht deputetët mund të jenë të qetë dhe të vazhdojnë me programin e tyre”, tha Meta.

Më 11 gusht hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, kohë pas së cilës do të duhet të vazhdohet me miratimin e 7 projektligjeve, por në takimet e këtyre dy ditëve, opozita ka përmendur disa rregulla të tjera parlamentare, që e shtyjnë deri në shtator nisjen e shqyrtimit të projektligjeve. Megjithatë, kryetari i Kuvendit foli sërish për konsensus.

“E vetmja gjë e sigurt, mund t’iu them që unë, z. Xhafaj dhe z. Bylykbashi do të bëjmë pushime dimërore. Për datat pastaj, pasi të rakordojmë çdo gjë me konsensus, do t’iu njoftojmë në orët e ardhshme, në dy ditët e ardhshme, atëherë kur ne të jemi të bindur që po shkojmë drejt një seance të suksesshme”, tha më tej Meta.

Partia Demokratike ka punuar deri tani për të bërë ndryshime te 7 ligjet, përfshirë edhe “vetting”-un, por opozita ka lënë të kuptohet se do ta njoftojë qëndrimin e saj në Komisionin e posaçëm, kurdo që ai të mblidhet.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe padyshim që komisioni do të mblidhet. Do të mblidhet në kohën e duhur. Qëllimi nuk është thjesht të mbledhim komisionin, por të kemi një axhendë të qartë nga mbledhja e komisionit deri në zhvillimin e seancës”, deklaroi Meta.

Opozita ka lënë të kuptohet se mund të ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, nëse palët marrin veprime të njëanshme, pa respektuar procedurat parlamentare.

Top Channel